Nga: Latif Arifi
Kur themeluam Lëvizjen për Reforma – PDSH, më pas Aleanca për Shqiptarët, nuk e bëmë për të qenë pjesë e një loje të vjetër politike. E bëmë sepse shqiptarët kishin nevojë për ndryshim të vërtetë, për t’i dhënë fund monizmit disa vjeçar të BDI-së, një regjim që kishte uzurpuar çdo qelizë të shtetit, ku funksionarët ndërronin poste më shpesh se çorapet, por mbeteshin po ata të paaftë, të papërgjegjshëm dhe të korruptuar.
Ziadin Sela dhe më vonë Arben Taravari ndërtuan kapitalin e tyre politik mbi këtë bindje, se shqiptarët ishin nën një regjim të kalbur, të kriminalizuar, që përdorte pushtetin për pasurim të klanit të Ali Ahmetit, për nepotizëm skandaloz dhe për ruajtjen e një status quo-je që e kishte kthyer Maqedoninë e Veriut në një shtet të mbyllur për shqiptarët.
Ata denoncuan “Shkupin 2014”, një projekt që fshinte çdo gjurmë të shqiptarëve nga historia. Folën me guxim për rastet e montuara si Sopoti, Brodeci, Alfa, Kumanova, ku djem të pafajshëm u dënuan padrejtësisht për të mbuluar dështimet dhe pazaret e qeverisë. Përgjimet e famshme të Zaevit, “tefterët” e Jankullovskës, përdorimi i policisë dhe inspektorateve për blerje votash, kërcënime dhe shantazhe ishin argumentet e tyre kryesore.
Sot? Të njëjtët Ziadin Sela dhe Arben Taravari janë ulur përkrah Ali Ahmetit. Të njëjtit që dikur shpallnin se “nuk ka bashkëpunim me krimin”, që dënonin regjimin si “një e keqe që duhet shkulur nga rrënjët”, sot kanë shitur idealin për interesa personale, për pushtet të vogël në një tavolinë të madhe pazari.
A janë tani edhe Sela dhe Taravari “horra” sipas standardit të Ali Ahmetit që refuzonte të ulej me ta dikur? Apo mos vallë, janë bërë “të përshtatshëm” pasi u kthyen në patericën më të butë të BDI-së?
A ka harruar dikush 27 prillin, kur Ziadin Sela u linçua fizikisht në Parlament, në një atentat politik për të cilin shumë zëra aluduan për gishtin e strukturave të lidhura me BDI-në? A nuk është ky i njëjti Ali Ahmeti që heshti dhe bashkëpunoi në heshtje me sistemin që po i nxirrte gjakun opozitës shqiptare?
Po fyerjet mes tyre? Kur Ziadin Sela përçmonte Arben Taravarin duke thënë se “flet turqisht në shtëpi”? Si i ka zbutur koha këto ofendime? Apo janë zbutur vetëm për pak pushtet?
Sot shqiptarët janë të lodhur. Ata nuk janë të verbër. Ata i dinë mirë se kush i përfaqëson dhe kush i përdor. Dhe ndaj, në këto zgjedhje, ata nuk kanë më luksin të bien pre e patericave të reja të Ali Ahmetit, qofshin me flamur të vjetër apo të ri.
Shqiptarët kanë përpara një zgjedhje të qartë, të vazhdojnë të mbahen peng nga BDI-ja dhe veglat e saj, apo të votojnë një alternativë të pastër, të pakapur, të padëmtuar – VLEN.
VLEN sepse nuk është kompromis me sistemin. VLEN sepse përfaqëson atë që duhej të ishte Aleanca dikur, ndryshimi i vërtetë.
Në politikë, jo çdo kthesë është tradhti. Por kur kalon në anën që e ke denoncuar si krim për vite me radhë, e ke emrin e shkruar në faqet më të errëta të historisë. Dhe shqiptarët nuk harrojnë.