Prej 12 objekteve me licenca aktive të cilat u kontrolluan këto ditë, 3 nuk i plotësojnë kushtet minimale teknike për të operuar dhe të njëjtave do t’u hiqen licencat. Gjithashtu do t’u shqiptohen gjoba maksimale. Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, tha se aktualisht po kryhen kontrolle edhe në nëntë diskoteka të tjera që kanë licenca.

“Lidhur me këtë situatë, menjëherë do të dërgohet një kërkesë në Ministrinë e Ekonomisë për tërheqjen e licencave, ndalimin e veprimtarisë dhe zbatimin e të gjitha masave ndëshkuese të mundshme në përputhje me ligjin. Në terren janë mbi dhjetë ekipe që kryejnë kontrolle dhe do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së nesërme. Çdo gjë do të verifikohet deri në detaj”, deklaroi Marija Miteva, zëdhënëse e Qeverisë.

Ajo shtoi se do të kontrollohen edhe subjektet që nuk kanë licencë të vlefshme, por që kanë operuar në të kaluarën.

“Është hartuar një plan edhe për verifikimin e atyre që nuk kanë licencë të vlefshme, por kanë operuar në të kaluarën. Ajo që ndodhi në Koçan nuk është thjesht një tragjedi e izoluar, por një simptomë e një sistemi të kalbur, të trashëguar nga korrupsioni shumëvjeçar. Nuk do të mbyllim sytë dhe nuk do të mbrojmë askënd”, tha Marija Miteva, zëdhënëse e Qeverisë.

Pas zjarrit tragjik në diskotekën “Puls” autoritetet po kryejnë kontrolle në të gjitha objektet gastronomike të kësaj natyre në vend. Në shënjestër janë klubet e natës, diskotekat dhe kabaretë. Në ditët e fundit janë kryer kontrolle në mbi 50 objekte, ndërsa shumë prej tyre nuk plotësojnë kushtet. Sipas listës së publikuar nga Ministria e Ekonomisë, në të gjithë shtetin, vetëm 22 objekte për momentin posedojnë licenca të vlefshme. /Alsat/