Keith Kellogg, emisari i presidentit amerikan, Donald Trump, ka sugjeruar se Ukraina mund të ndahet nëpër zona të kontrollit sikurse qyteti i Berlinit pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, derisa Rusia vazhdon të zvarrisë marrëveshjen e armëpushimit, raporton The Guardian.
Sipas raportimeve, Kelloggu ka propozuar ndarjen e Ukrainës nëpër disa zona të kontrollit. Trupat britanike dhe franceze do të ishin “force garantuese” në pjesën perëndimore, ndërkaq forcat ruse mund të vendosen në pjesën lindore të vendit.
Midis tyre do të ishin trupat ukrainase dhe një zonë e demilitarizuar. Ai ka shtuar se SHBA-ja s’do të dërgonte trupa tokësore.
“Pothuajse mund ta bëjmë të duket si ajo që ndodhi me Berlinin pas Luftës së Dytë Botërore, kur kishte një zonë ruse, një zonë franceze dhe një zonë britanike”, ka thënë Kellogg.
Kievi zyrtar ende nuk ka komentuar në lidhje me këto deklarata.
Administrata Trump po shtyn përpara planet për armëpushim në luftën Ukrainë – Rusi. Emisari tjetër i Trumpit, Steve Witkoff qëndroi në Shën Petersburg të premten ku zhvilloi takim me presidentin Vladimir Putin.