“Pohoj se ky është një rast i montuar politik”.
Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska kështu e vlerësoi bojkotin e mësimit në shkollën periferike “Naim Frashëri” të fshatit Moranë të Komunës së Studeniçani. Ajo apeloi prindërit t’i kthejnë fëmijët në mësim në të kundërtën fëmijët do të përballen me pasoja.
“Humbja e orëve kohë më të gjatë ka pasojat e saja, kjo nënkupton se do të duhet të punojnë gjatë fundjavës ose do t’u vazhdohet viti shkollor. Si përfundim, nëse humbin shumë nga ditët e mësimit do të duhet të kalojnë provim sepse nuk e kanë ndjekur mësimin. Sërish vlerësoj se prindërit duhet të mendojnë shumë seriozisht, i ftoj të mos marrin pjesë në procese politike por të fokusohen në njohuritë e fëmijëve të tyre”, u shpreh Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Janevska tha se nga kryetari i Komunës së Studeniçanit nuk ka pranuar asnjë kërkesë që ka të bëjë me këtë problematikë pavarësisht që kreu I komunës e kishte pohuar një gjë të tillë.
“Kryetari i Komunës nuk më ka kërkuar, nuk ka kërkuar asnjë nga kabineti. Ne kemi dorëzuar letër te kryetari I komunës me një mendim negative. Çfardo problemi që ka unë nuk kam asnjë problem të takohem me kryetarin e komunës dhe të diskutojmë mbi këtë temë. E ftoj publikisht, nëse vlerëson se ka për çfarë të flasim, sigurisht që ka, për dëmin që po e vuajnë nxënësit, është I mirëseardhur çdo ditë”, theksoi ajo.
Bojkoti tashmë ka hyrë në javën e katërt ndërsa prindërit këmbëngulin që shkolla të mëvetësohet sepse plotëson të gjitha kushtet për të funksionuar si shkollë më vete.
Prindërit nuk pajtohen me qëndrimin e ministres së Arsimit se kërkesa për mëvetësimin e shkollës nuk mban dhe nuk ka asnjë arsye për t’u ndarë.
Të revoltuar nga përgjigjja e ministres prindërit kanë paralajmëruar edhe protesta por pa saktësuar se kur.
Prindërit thonë se arsyeja kryesore e bojkotit të mësimit është mos investimi në këtë shkollë nga ana e komunës së Studeniçanit. Sipas prindërve, çdo investim në shkollë është bërë nga banorët e fshatit./ Alsat.mk