“Vendi është përfshirë nga një valë përvëluese e të nxehtit, me temperatura që arrijnë apo tejkalojnë 40 gradë Celsius në disa zona. Autoritetet kompetente kanë lëshuar paralajmërime të vazhdueshme duke rekomanduar që qytetarët të shmangin lëvizjet jashtë në orët më të nxehta të ditës, nga ora 11:00 deri në 17:00.Megjithatë, pavarësisht këtyre apelimeve, nëpër rrugë vërehen ende lëvizje të shumta të qytetarëve”
Drejtoria Hidrometeorologjike paralajmëron se i nxehti do ta arrijë kulmin të premten dhe të shtunën. Temperaturat pritet të jenë mbi 43 gradë celsius. Rënie e lehtë e temperaturave pritet nga e diela.
“Moti do të mbetet me diell dhe shumë i nxehtë deri të shtunën, me vranësira lokale të lehta deri në mesatare dhe temperatura që në disa vende do të arrijnë 43 gradë celsius. Të dielën do të ketë mot të paqëndrueshme me shira të rrëmbyeshëm dhe bubullima, ndërsa temperaturat do të jenë në rënie”, thonë nga Drejtoria Hidrometeorologjike.
Për përballimin e të nxehtit ekstrem, Qeveria me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, miratoi rekomandime shtesë për punëdhënësit, të cilat do të vlejnë deri më 26 korrik. Rekomandohet që të shtyhet procesi i punës në ambient të hapur nga ora 11:00 deri në orën 17:00. Gratë shtatzëna dhe të moshuarit mbi 60 të lirohen nga obligimet e punës. Të mundësohet riorganizim i orarit të punës dhe punë në distanca aty ku ka kushte. Aktivizim i protokolleve të brendshme për punë në kushte emergjente në të gjitha institucionet e kujdesit shëndetësor, azilet e pleqve dhe institucionet arsimore. Rekomandimet nuk vlejnë për punonjësit në infrastrukturën kritike, siç janë kujdesi shëndetësor, policia, ushtria, transporti, energjia dhe shërbimet publike. /Alsat.mk