Nga koalicioni VLEN i bëjnë thirrje ish zëvendëskryeministrit Artan Grubi që të kthehet në Maqedoninë e Veriut dhe të përballet me drejtësinë, përcjell TV21. Nga VLEN thonë se Artan Grubi i cili në çdo paraqitje të tij bënte thirrje për investigim duke filluar nga partia e tij, “tani është shndërruar në sinonim të ikjes nga drejtësia”.

“Artan mos mendo që me kalimin e ditëve harrohet dosja jote, kthehu dhe përballu me drejtësinë, dëshmoje pafajësinë. Grubi qenka strukur në Shqipëri e jo në Kosovë ashtu siç aludohej. E rëndësishme është që nëse ka ndarë mendjen të vazhdojë jetën si “kaçak” t’i zgjedh vendet. Assesi nuk duhet të vazhdojë të qëndrojë në Shqipëri, ky shtet për shqiptarët ka vlerë dhe peshë të veçantë, tani nuk duhet të perceptohet si strehimore e të korruptuarve. Artan, veprimtaria yte është edhe më e rëndë se vetëm korrupsioni, ti bëre gabim historik e për këtë do të dënojë edhe historia kudo që ndodhesh nuk të amniston assesi arratia. Artan Grubi përpos që është i korruptuar ai e ka rënduar bagazhin e tij me shërbimin që ia kë bërë Sasho Mijallkov. Artan, ik nga Shqipëria, ky vend nuk është i përshtatshëm për shërbyesit e antishqiptarët më të madh në Maqedoninë e Veriut”, thuhet mes tjerash në reagimin e VLEN.