Kumtesë nga VLEN:
Partia e Listave të zeza, Bashkimi Demokratik për Integrim, me funksionarë të akuzuar për korrupsion dhe kapje të gjyqësorit, që për mbi dy dekada i shërbeu interesave antishqiptare, sot ka guximin të akuzojë se gjoja Maqedonia e Veriut po zhytet në “Botën serbe”.
Është pikërisht kjo parti që për vite të tëra mbylli sytë ndaj projekteve destabilizuese të Serbisë në rajon, duke u bërë vegël e tyre në kurriz të shqiptarëve dhe qytetarëve të këtij vendi. Është partia, funksionarët kryesor e të cilës tentuan me çdo kusht të rikthejnë në vend Gruevskin e ta lirojnë Mijallkovin.
Pyesim publikisht: A harruan që pikërisht ish funksionarët e BDI-së ishin të parët që e përqafuan me entuziazëm nismën “Open Balkan”, projektin më të rëndësishëm gjeopolitik serb pas shpërbërjes së Jugosllavisë, vetëm që të ruanin privilegjet e klanit të tyre politik?
A harruan që ishin pikërisht ata që u rreshtuan krah për krah me Vuçiqin e Daçiqin, duke u bërë promovues të idesë “Open Balkan” në kohën kur shqiptarët kundërshtonin me zë këtë projekt që i shërbeu interesave serbe dhe ishte kryekëput kundër Republikës së Kosovës?
Mos harrojmë, a ishin pikërisht të fortët e BDI-së, Artan Grubi dhe Përparim Bajrami, që partnerë kryesorë në biznesin e kazinove kishin eksponentë të lartë të nëntokës serbe.
Paramendojeni ironinë, BDI e cila me servilizëm priste e përcillte funksionarë serb me qilima të kuq në Shkup, sot shet patriotizëm përmes kumtesave shterpe. Shkuan aq larg sa që Bujar Osmani e solli në Shkup shefin e diplomacisë ruse Sergej Lavrov. E gjithë propaganda e tyre “patriotike” është vetëm një fasadë për të fshehur dështimet dhe korrupsionin që kanë mbi shpatulla.
Janë po ata që sot bërtasin nga frika e humbjes në zgjedhjet e radhës lokale, nga frika se qytetarët shqiptarë nuk do të mund t’i mashtrojnë më me gënjeshtrat dhe patriotizmin e rrejshëm që e përdorin vetëm kur janë në opozitë.
VLEN do të vazhdojë të punojë për qytetarët, për sundimin e ligjit, për integrimin evropian dhe për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve pa u lodhur nga akuzat boshe të atyre që për mbi dy dekada u pasuruan dhe e përdorën pushtetin vetëm për pasurimin e rrethit të ngushtë familjar. Me përkushtim të madh po e ndërtojmë Korridorin 8 dhe po forcojmë partneritetin strategjik me ShBA.
Maqedonia e Veriut është në duar të sigurta dhe do të ecë drejt BE-së, pa klanet e korrupsionit që u bënë paterica të çdo projekti që vinte nga Beogradi, vetëm për të ruajtur pushtetin dhe pasuritë e tyre!