Koalicioni VLEN nëpërmjet një kumtese ka reaguar ndaj BDI-së për akuzat se ky koalicion po destabilizon vendin, pasi në Gjykatën Kushtetuese do të shqyrtohet shfuqizimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve – gjuhës shqipe, përcjell TV21.
Kumtesa e plotë dhe pa ndërhyrje e VLEN-it:
Mbrëmë, me mbështetjen e madhe që mori kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Afrim Gashi, edhe një herë u dëshmua se shumica qeveritare është stabile dhe nuk ka asnjë shenjë luhatjeje. Përveç kësaj, kjo interpelancë e nxori në skenë edhe koalicionin e ri të destabilizimit të vendit, Levica-LSDM-BDI.
Në të vërtetë, Levica është vetëm maja e ajsbergut dhe zëdhënëse e një projekti më të madh të kësaj treshe, që synon destabilizimin e vendit. Ashtu siç janë deklaruar edhe vetë më parë, ndërsa tashmë kjo po
dëshmohet edhe në praktikë, nisma e interpelancës, me aq gjuhë të urrejtjes ndëretnike dhe ndërfetare, flet se ka një koordinim dhe bashkëpunim mes kësaj treshe në planet e destabilizimit dhe shkaktimit të tensioneve, pse jo edhe të incidenteve ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.
Megjithatë, kjo interpelancë ishte edhe një arsye më shumë që të bëhet homogjenizimi i koalicionit VLEN, por edhe në koalicionin qeverisës, duke dëshmuar stabilitet dhe qëndrueshmëri kundrejt planeve ogurzeza që hartohet në kuzhina anti-NATO dhe anti-BE.
Përkundër synimit të interpelancës që të shkaktojë huti e destabilizim, ajo ndihmoi më shumë në ndërgjegjësimin e shumicës qeveritare dhe kohezionin e brendshëm të saj, duke dëshmuar se këto nisma janë të dënuara me dështim.
Me këtë rast deklarojmë se koalicioni VLEN, në bashkëpunim edhe me aleatët ndërkombëtarë, nuk do të lejojë që këto projekte destabilizuese të marrin jetë dhe ta dëmtojnë orientimin strategjik euroatlantik të Maqedonisë së Veriut.