Nga koalicioni VLEN i kanë reaguar kryetarit të partisë ZNAM, Maksim Dimitrievski, i cili ka deklaruar se ata do të largohen nga qeveria nëse do të përdoret flamuri shqiptar.
VLEN vlerëson se fushata parazgjedhore ka përfunduar prej kohësh, prandaj mendojnë se kjo lloj retorikë nuk i bën mirë askujt.
“Më mirë do të ishte që kryetari i ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, para se të vendosë të komentojë publikisht, përmes mediave, të informohet për qëllimin e takimit të zëvendëskryeministrit të parë Izet Mexhiti me ministrat e VLEN-it. Vlerësoj se ky është “rregulli i shtëpisë” në një qeveri të përbashkët. Nuk shohim asgjë të kundërshtueshme në koordinimin e rregullt të ministrave tanë për të siguruar efikasitet në zbatimin e zotimeve programore. Këtu mund të ftojmë edhe ministrat e ZNAM-it në koordinimin e radhës, që të binden për këtë që themi. Sa i përket flamurit shqiptar, ne kemi vetëm një mesazh, mos sfidoni përdorimin e simboleve të identitetit shqiptar, ashtu siç nuk dëshironi që të sfidohen simbolet e identitetit maqedonas. Në fund të fundit, angazhimet për mirëkuptim të ndërsjellë dhe bashkëjetesë me shqiptarët nuk duhet të vlejnë vetëm gjatë fushatave për zgjedhjet lokale”, thuhet në reagimin e VLEN-it.