Ditë më parë u hap konkursi për punësimin e 300 ushtarëve në Ushtrinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Të drejtë aplikimi kanë të gjithë të interesuarit ndërmjet moshës 18-25 vjeç. VLEN thotë se gjatë punësimit, kriter do të jetë edhe përfaqësimi adekuat.
“Por, brenda këtij njoftimi me krenari dhe mburrje të plotë ju informojmë që kriter dhe element tjetër që do të merret parasysh është edhe përfaqësimi i drejt dhe adekuat. E kjo çështje është e rregulluar dhe figuron zyrtarisht në pikën shtatë të konkursit që vazhdon të jetë akoma aktiv.
Kur hoqëm mekanizmin keqpërdorues balancuesin u zotuam që shqiptarët do të përfaqësohen denjësisht në gjitha institucionet e vendit. Ky është fillimi, i ngjashëm do të jetë edhe vazhdimi. Në çdo konkurs do të ketë edhe përfaqësim të drejt dhe adekuat. Kjo çështje do të vazhdojë kështu deri në rregullimin përmes Ligjit për përfaqësim të drejt dhe adekuat.
U zotuam se shqiptarët do të punësohen edhe më shumë edhe më mirë, gjithkund, në çdo vend pa dallim. Por, dallimi i punësimeve të Qeverisë sonë është që ne bëjmë përfaqësim të drejt dhe adekuat por domosdo e kemi në funksion edhe mekanizmin filtrues, meritokracia do të jetë kryefjala e punësimeve tona. Njeri i duhur në vendin e duhur. Shqiptarët janë të zotë, dinë dhe munden të udhëheqin shumë mirë.
Ne mundemi të punësojmë shqiptarë edhe më shumë edhe më mirë. Përfaqësim i drejt dhe adekuat, i denjë vetëm përmes meritokracisë!”, thonë nga VLEN.