Nga koalicioni VLEN thonë se dorëheqja e kryeprokurorit Lubço Kocevski shënon fundin e një periudhe që prodhoi humbje të thellë të besimit të qytetarëve në në prokurori, përcjell TV21. Nga VLEN shtojnë se do të insistojnë që procesi për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri të jetë “i pastër, transparent dhe i çliruar nga ndikimet politike.”
“Koalicioni VLEN vlerëson se ndërprerja e funksionit të kryeprokurorit shënon fundin e një periudhe që prodhoi humbje të thellë të besimit publik në Prokurorinë Publike. Besimi i qytetarëve u rrënua nga raste konkrete që i panë me sytë e tyre, si rasti i Ixhet Memetit, ku një zyrtar i drejtësisë përfundoi me dënim të butë, ndërsa qytetarë të zakonshëm janë ndëshkuar për gabime shumë më të vogla. Besimin në drejtësi e kanë goditur rëndë edhe vlerësimet ndërkombëtare, përfshirë futjen e Artan Grubit dhe Enver Bexhetit në listën e zezë amerikane për korrupsion serioz dhe minimin e proceseve të drejtësisë, ndërkohë që institucionet vendore ende nuk kanë dhënë epilog të qartë për këto raste”, thonë nga VLEN.

