VLEN sot shpalosi disa qëndrime politike që kandidati për president i BDI-së, Bujar Osmani i ka pasur në të kaluarën. Sipas Fari Isenit nga VLEN, bëhet fjalë për veprime që nuk do të harrohen kurrë, përfshi edhe rastin “MONSTRA:.
“Ashtu siç kemi paralajmëruar edhe më parë kur kemi shpjeguar se kush është Bujar Osmani, ka ardhur koha të fillojmë t’i shpalosim skandalet e tij korruptive, por edhe qëndrimet politike që i ka pasur e shprehur ai në të kaluarën. Gabohet shumë nëse ai mendon se ato janë harruar dhe se tashmë askush nuk do t’ia kujtojë se çfarë ka bërë e çfarë ka thënë. Madje, disa nga veprimet e tij nuk do të harrohen kurrë. Sot po e rikthejmë kujtesën duke i kujtuar qëndrimet e tij të pafalshme për rastin e ashtuquajtur “Monstra”, një rast ky që shkaktoi, fatkeqësisht, plagë të pashërueshme edhe sot e kësaj dite. Atëbotë, po ky Bujar Osmani – në rol të zëdhënësit të BDI-së, doli para kamerave dhe pa fije turpi, pa u skuqur fare e pa pikë ndërgjegje e mashtroi opinionin e tërë. Kështu, në pyetjen se “Ku është njëri nga të akuzuarit e rastit, Haki Haziri, ai tha: ‘Informacionet tona thonë se ai nuk është në asnjë institucion shtetëror. Ai kontakton me familjen e tij dhe me vullnetin e tij bëhet i zhdukur’”, deklaroi Fari Hiseni, VLEN, sipas të cilit bëhet fjalë për një deklaratë skandaloze të Bujar Osmanit.
“Kjo ishte një deklaratë skandaloze, sepse shumë shpejt u bë e ditur se Haki Haziri mbahej nga organet e shërbimit sekret në institucione të fshehta dhe atij i bëhej presion të pranojë të bëhet bashkëpunëtor dhe dëshmitar në rastin e ashtuquajtur “Monstra”. Ndërsa ajo që pasoi më vonë është një kapitull në vete, për të cilën BDI-ja patjetër se një ditë do të duhet të japë përgjegjësi. Megjithatë, pyetja që shtrohet është: “A mund t’i besojmë këtij personi që për interesa të ulëta personale e shet çdo gjë kombëtare dhe nuk e ka për dert të mashtrojë pa u skuqur?”.
Fatmirësisht, shqiptarët nuk harrojnë. Andaj ka ardhur koha që personat e inkriminuar në vepra antikombëtare të dënohen me anë të votës, si instrumenti më i mirë për ta ndarë shapin nga sheqeri dhe mashtruesin nga i ndershmi”, tha Hiseni.