Me një aksion simbolik, Forumi Rinor dhe Forumi i Gruas të koalicionit VLEN në Komunën e Likovës, sot “shpallën” komunën si “Komuna e Kushërinjve”, duke vendosur mbishkrime me këtë tekst në hyrje të oborrit të komunës.
Ky veprim, siç theksojnë organizatorët, është protestë ndaj nepotizmit, abuzimit me detyrën dhe mungesës së transparencës që, sipas tyre, kanë karakterizuar qeverisjen lokale të kryetarit në ikje, Erkan Arifi.
Sipas të dhënave të publikuara nga kandidatët për këshilltarë të VLEN-it, më shumë se 33 anëtarë të familjes së Arifit janë të punësuar në administratën komunale, ndërsa qindra mijëra euro tenderë publikë janë ndarë në institucione që drejtohen ose menaxhohen nga kushërinj të tij të afërt. “Likova është shndërruar në pronë private të një familjeje. Meritokracia është zëvendësuar me lidhje farefisnore, ndërsa qytetarët janë lënë jashtë vendimmarrjes dhe zhvillimit”, thuhet në reagimin e Forumit Rinor dhe Forumit të Gruas të VLEN-it.
Aksioni, i zhvilluar me pjesëmarrje të dhjetëra aktivistëve, synon të dërgojë një mesazh të qartë: “Likova nuk është pronë e askujt. Ajo i takon qytetarëve të saj. Mjaft më me pushtetin e kushërinjve, është koha për administratë të ndershme, profesionale dhe transparente”.
Kandidati i VLEN për kryetar të Komunës së Likovës, Nexhmedin Sadiku, përshëndeti aksionin dhe theksoi se ky është vetëm fillimi i ndryshimit që po kërkojnë qytetarët. “Ky është zëri i qytetarëve që duan fundin e kapjes familjare të komunës. Likova do t’i kthehet njerëzve të saj, jo kushërinjve të partisë”, u shpreh mes tjerash ai.