Koalicioni VLEN dhe koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, vazhdojnë edhe më tej negociatat për ndarje të resoreve në përbërjen e re qeveritare. Qëllimi i koalicionit VLEN është që me funksionin kryetar parlamenti përsëri të udhëheqë shqiptar, gjegjësisht njëri prej deputetëve nga koalicioni VLEN. Duke ndarë vendet ministrore, Taravari në një intervistë për RTK, thotë se do udhëheqin me ato ministri për të cilët kanë kuadër profesionist. Nuk tregon se me sa ministri do të udhëheqin.

“Besoj se njërën prej tre funksioneve kryesore të shtetit, respektivisht kryetarin e Parlamentit do të vazhdojë të jetë shqiptarë. Dhe numër i konsiderueshëm i ministrave, posaçërisht aty ku kemi ekspertë, ne si parti të VLEN-it do t’i vendosim”, tha Arben Taravari – VLEN.

Por në Qeverinë e ardhshme, nëse VMRO arrinë të sigurojë 80 deputetë në Kuvend, do të tentojë të bëjë ristrukturim të Qeverisë. Stefan Andonovski nga kjo parti, thotë se fillimisht Ministria për Sistem Politik e cila deri tani udhëhiqeshte nga Artan Grubi, do të thirret vetëm si ministri për marrdhënie mes komuniteteve, dhe e cila do të kujdeset për të gjitha komunitetet në vend.

“Premtimi i parë është se sport në korniza të zyrave nuk do të praktikohet, ka salla sportive për këtë. Pjesa e dytë mua si jurist me të vërtetë më pengon është ajo që Ministria për Sistem Politik quhet e tillë, kur e dimë se gjithë kjo që ne e bëjmë është sistem politik. Edhe Kuvendi është sistem politik, Qeveria, madje edhe gjykatat janë sistem politik. Kjo është ajo ndarje e pushtetit në tre pjesë”, pohoi Stefan Andonovski – VMRO-DPMNE.

Andonovski gjithashtu shton se më nuk do të ketë zëvendëskryeministër i parë apo i dytë. Sipas asaj që u shpreh dy ditë më parë Arben Taravari nga VLEN, deri të premten pritet që të përfundojnë të gjitha ndarjet e resoreve.