Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është shprehur i gatshëm të vizitojë të gjitha vendbanime e serbëve në Kosovë nëse ia lejojnë ndërkombëtarët.
Vuçiqi të mërkurën vizitoi Podrinjen për të shikuar punimet në rindërtimin e rrugës Bojiq – Tekerish, nga ku ka deklaruar se nuk është e vërtetë që institucionet serbe nuk funksionojnë në Kosovë, duke shtuar se dy më të rëndësishmet janë duke funksionuar, “shëndetësia dhe arsimi”.
Më 30 gusht, Policia e Kosovës, nën dyshimin për lëshim të dokumenteve të falsifikuara, ka mbyllur 5 objekte të komunave paralele në katër komunat veriore. Të premten nga Policia e Kosovës u mbyllën zyra e Qarkut për Mitrovicë si dhe katër komunat paralele në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin-Potok e Leposaviq, të gjithë në kuadër të sistemit të Serbisë. Ky veprim është dënuar nga faktori ndërkombëtar, duke e quajtur operacionin si “të njëanshëm dhe të pakoordinuar”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në fillim të vizitës së tij në Podrinjë, Vuçiqi ka thënë se nesër do ta vizitonte Mitrovicën nëse ia lejojnë ndërkombëtarët.
“Shkuarja atje (në Mitrovicë) nuk është çështje e zgjedhjes sime, por e vendimit të tyre (ndërkombëtarëve”, ka thënë ai, duke shtuar se do të shkonte jo vetëm në Mitrovicë, “por edhe në të gjitha vendbanimet dhe fshatrat tona në Kosovë”.
E ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se zhvillimet e fundit në Kosovë janë pjesë e “qëllimit djallëzor të Albin Kurtit për t’i hequr qafe të gjithë serbët”.
“Qëllimi është të krijohet një atmosferë që serbët të kenë të pamundur të jetojnë në Kosovë e M., prandaj është e rëndësishme që të kemi një politikë të unifikuar kombëtare dhe ta mbështesim udhëheqësin shtetërore të drejtuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në negociatat me Prishtinë, nëse ka të tilla”, tha Daçiq për “TV Pink”. “Është e qartë se qëllimi strategjik është i njëjtë, të krijohet një Kosovë e pastër etnikisht”.