Sot në Maqedoninë e Veriut po mbahen zgjedhjet lokale.
Vëmendje të posaçme po i kushtohet komunave me shumicë shqiptare, ku pritet të ketë garë interesante.
Komuna kryesore ku do të zhvillohet votimi do të jetë ajo e Çairit në Shkup, ku përballë njëri tjetrit do të jenë Izet Mexhiti, aktualisht zëvendëskryeministër i RMV-së dhe njëherësh një nga liderët e koalicionit VLEN, si dhe Bujar Osmanit, kandidati nga krahu tjetër i partive shqiptare AKI, ku bën pjesë edhe Bashkimi Demokratik për Integrim.
Zëdhënësi i VLEN-it Driton Sylejmani, në një intervistë për gazetarën e Klan Kosovës Qëndresa Bellagoshi, foli rreth vendimit që Izet Mexhiti të garojë në këto zgjedhjet lokale.
“Kjo dëshmon dashurinë dhe përkujdesjen që Izet Mexhiti ka për qytetarë e Çairit. Gjithashtu, ai e ka dëshmuar edhe me punë konkrete në qeveri se mund të bëjë shumë për Çairin. Deri tash, nga ana e qeverisë janë ndarë 100 milionë euro për projekte konkrete për Çairin dhe puna e Izetit për Çairin vetëm se ka filluar. Dhe me fitoren e tij ditën e nesërme, Çairi do të transformohet në një komunë të zhvilluar dhe në një komunë me aspak probleme të natyrës elementare”, deklaroi Sylejmani.
Ai tha se Izet Mexhiti ka përparësi ndaj kundërkandidatit Bujar Osmanit, pasi që edhe në të kaluarën Mexhiti, ka qenë në krye të Çairit dhe ka prekur problemet e qytetarëve dhe ka zgjidhje për ato probleme.