Zëvendëskryeministri Arben Fetai ka qëndruar sot për vizitë zyrtare në Burgun e Kumanovës, institucion ky që po shndërrohet në shembull të menaxhimit të mirë nën udhëheqësinë e re.
Në fokus të takimit ishin sfidat me të cilat përballet institucioni, ndër të cilat u theksua mungesa e ujit të pijshëm, si një problem për të cilin Fetai premtoi angazhim të menjëhershëm për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.
Gjithashtu, siç shkruan Fetai ne Facebook, në takim u diskutua mundësia e përforcimit të përkrahjes shëndetësore për të burgosurit, me theks të veçantë në shëndetin mendor, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë.
“Sistemi penitenciar është një ndër shtyllat e shtetit të së drejtës dhe ne jemi të përkushtuar që ta përmirësojmë dhe zhvillojmë atë sipas standardeve evropiane,” u shpreh Zëvendëskryeministri Fetai.
Gjatë vizitës, ai u prit nga drejtori i Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve, z. Aleksandar Pandov me kabinetin e tij, si dhe nga drejtori i Burgut të Kumanovës, z. Oliver Cvetkovski dhe zëvendësdrejtori z. Ylber Limani.