Zëvëndëskryeministri i parë RMV, Izet Mexhiti, ka takuar sot në Tiranë, kryeministrin shqiptar Edi Rama. Pas takimit, Mexhiti tha se Tirana zyrtare njeh verdiktin e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut dhe qeverinë e re të Shkupit. Paraprakisht Mexhiti mori pjesë në Konferencën e Ambasadorëve të organizuar nga Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë ku prezent ishin politikanë shqiptarë nga vendet e rajonit. Në këtë konferencë ai tha se integrimi evropian mbetet prioriteti absolut i koalicionit, dhe shprehu përkushtimin dhe gatishmërinë për votimin e ndryshimeve kushtetuese në çdo moment.
“Qeveria shqiptare e njeh verdiktin e zgjedhjeve, e njeh qeverinë e re, është e interesuar ta vazhdojmë dhe thellojmë bashkëpunimin mes dy shteteve. Diskutuam për të filluar bashkëpunimin e ri, midis qeverisë së re dhe qeverisë shqiptare, në shumë fusha, në të ardhmen edhe takim të dy qeverive, dy kryeministrave, për ta thelluar bashkëpunimin e shkëlqyeshëm midis Republikës së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke filluar nga ekonomia, arsimi, diplomacia, integrimet, liria e lëvizjes së qytetarëve, mallërave e kështu me radhë”, tha Izet Mexhiti, zv.kryeministër i parë.