Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu shkoi në Tetovë për t’i njoftuar 155 punonjësit e spitalit se është zgjidhur problemi për punësimin e tyre me vendim të përhershëm. Në takim ishte me drejtuesit dhe punonjësit e këtij spitali. Aliu konfirmoi se hapi i fundit ka mbetur vetëm testimi administrativ që do tu bëhet punonjësve.
“Sot jemi në Tetovë pikërisht për këtë punë që të bashkëbisedojmë me 155 të punësuar tani më si institucion, si pjesë e institucionit për “full time”. Jemi shumë të lumtur që do jem pjesë e shëndetësisë në Tetovë, për shkak se edhe njëherë theksoj, pa një kapacitet njerëzor i trajnuar i duhur, institucionet shëndetësore nuk mund të japin në këtë rast institucioni shëndetësor nuk mund të jep shërbime në kohë reale dhe me cilësi për qytetarët”, tha Aliu.
Infermierja Fjolla Alija tha se çështja e statusit të tyre të punësimit po merret seriozisht dhe po trajtohet me përgjegjësi.
“Dëshirojmë të shprehim falënderimin tonë të sinqertë ministrit aktual të shëndetësisë z.Azir Aliu dhe ekipit të tij për realizim e këtij procesi kaq të rëndësishëm”, tha Alija.
Ndryshe infermierët dhe punonjësit teknik në fund të majit dhe fillim të qershorit mbajtën disa protesta të cilët kërkonin një zgjidhje të menjëhershme dhe të qëndrueshme për statusin e tyre.