Një kërkesë e kamotshme e komunave rurale dhe njësisë së zjarrfikësve të Tetovës ka qenë disperzimi nëpër komuna.
Kjo kërkesë së fundmi ka gjetur mbështetje nga komuna e Tetovës dhe tashmë komuna e Zhelinës bëhet komuna e parë e cila do të ketë njësi të zjarrfikësve. Me këtë rast, kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami ka theksuar se në këtë mënyrë zjarrfikësit e Tetovës do të jenë më afër qytetarëve të kësaj komune, kurse në anën tjetër do të mund të intervenohet edhe në aksidente trafiku që ndodhin në autostradën Tetovë-Shkup.
“Në bazë të sistematizimit të ri, komuna e Zhelinës do të ketë njësitin e vet, komuna e Tearcës do të ketë njësitin e vet që do të mbulojë edhe komunën e Jegunocit, komuna e Bogovinës me njësitin e vet do të mbulojë edhe komunën e Bërvenicës. Në fazën e parë, njësia e zjarrfikësve do të ketë shërbim ditor, do të mbulohet tërë territori i komunës së Zhelinës dhe do të arrijmë të intervenojmë në kohë në shpëtimin e pronave dhe jetëve të qytetarëve”, tha Kasami./Koha.mk/