Kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Vrapçishtit, Zulhajrat Demiri, i mbështetur edhe nga Koalicioni VLEN dhe ASh-ja e Ziadin Selës vazhdon takimet me qytetarët. Demiri ka takuar banorët e fshatit Vranjovcë, ku ka prezantuar projektet e tij për zhvillimin e këtij vendbanimi dhe Komunën e Vrapçishtit. Demiri theksoi se fokusi i angazhimit të tij do të jetë përmirësimi i kushteve bazike të jetesës për qytetarët.
“Sigurimi i ujit të pijshëm, rregullimi i infrastrukturës rrugore dhe ofrimi i shërbimeve komunale funksionale janë ndër prioritetet kryesore. Zhvillimi i Vranjovcës duhet të bazohet në projekte konkrete dhe planifikim të qëndrueshëm, me bashkëpunim institucional për realizimin e tyre.”, theksoi Demiri.
Ai premton se nëse merr besimin e qytetarëve, do të angazhohet që këto projekte të kenë afate të qarta dhe zbatim transparent. Demiri premtoi se mendimet dhe nevojat e qytetarëve do të jenë pjesë e pandashme e programit të qeverisjes lokale.




