Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë dhe transparencë, Arben Fetai, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e ri të Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani.
Fetai dhe Meidani kanë biseduar për zhvillimet aktuale në vendi, marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy shteteve dhe mundësitë e thellimit e të konkretizimit të mëtejmë të tyre.
Shkrimi i plotë i zv.kryeministrit, Arben Fetai:
“Takim vëllazëror dhe përmbajtësor me Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani.
Konstatuam se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk janë thjesht vende fqinje, por shtete mike, strategjikisht të pazëvendësueshme për njëratjetrën, që i përkasin Evropës dhe kultivojnë marrëdhënie të bazuara në parimet dhe vlerat më të mira evropiane.
U dakorduam për bashkëpunim edhe më të ngushtë në shumë fusha që na bashkojnë, si në arsim, kulturë, përfshirë edhe në kultivimin e pakicës maqedonase që jeton në Shqipëri, ashtu edhe për një sërë veprash në infrastrukturë, veçanërisht korridori 8 dhe linja e interkonjeksionit 400 kV.
Me Ambasadorin Meidani, u pajtuam poashtu të shfrytëzojmë mundësitë e shumta për të avancuar më tutje bashkëpunimin rajonal në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt BE-së”, shkruan Fetai.