Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Elfete Ismaili, ka marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të përurimit të pikë-kalimit të përbashkët kufitar “Hani i Elezit – Bllacë”, që u mbajt sot në kufirin ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Ngjarja shënon një hap të rëndësishëm drejt lehtësimit të lëvizjes ndërkufitare dhe forcimit të bashkëpunimit rajonal mes dy vendeve. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, si dhe përfaqësues të lartë institucionalë dhe politikë nga të dyja shtetet.
Z.Ministrja Elfete Ismaili theksoi rëndësinë strategjike të këtij projekti për qytetarët dhe për zhvillimin ekonomik e social të rajonit, duke e cilësuar pikë-kalimin e përbashkët si një simbol konkret të bashkëpunimit të ndërsjellë.
“Ky pikë-kalim do të jetë jo vetëm një urë lidhëse mes dy shteteve, por edhe një dëshmi e përkushtimit tonë të përbashkët për një rajon më të hapur, më të bashkuar dhe më të zhvilluar,” deklaroi Ismaili.