Dymbëdhjetë gushti çdoherë për lubotenasit e Shkupit përkujtohet si një ditë e dhembshme, sepse u përkujton masakrën e Lubotenit të 12 gushtit te vitit 2001, kur forcat maqedonase të sigurisë vranë 10 civilë shqiptar. Atë mëngjes të 12 gushtit të vitit 2001 u zhvillua operacioni i ndërhyrjes së njësiteve policore – ushtarake në fshatin Luboten ku u vranë dhjetë civilë shqiptarë, në mesin e tyre edhe fëmija 6-vjeçar Erxhan Aliu, si dhe Dalip Murati, Muharrem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri Jashari, Bajram Jashari, Sulejman Bajrami, Atulla Qaili, njofton Portalb.mk.
Pikërisht për këtë arsye, çdo përvjetor ky fshat shënon masakrën e vitit 2001, me çka Bashkësia Lokale e Lubotenit, organizon manifestim përkujtimor në hapësirat e shkollës së fshatit.
Rasti i Lubotenit ishte një ndër rastet e vetme që u proceduan dhe u gjykuan nga Tribunali Ndërkombëtarë për Krime Lufte, me ç ‘rast për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë u dënua ish-pjesëtari i lartë i forcave të sigurisë maqedonase, Johan Tarçullovski, ndërsa i akuzuari i parë ish-ministri i Brendshëm, Lube Boshkovski u lirua nga akuza.
Johan Tarçullovski u dënua nga Gjykata e Hagës me 12 vjet burg për vrasje, thyerje të ligjeve të luftës, torturë dhe shkatërrim të pasurisë, por ai tanimë ndodhet në liri pas mbajtjes së 8 viteve burg. Lirimi i parakohshëm i Tarçullovskit, ardhja e tij me aeroplan të Qeverisë, pritja e tij si hero, u vlerësua si vrasje e dyfishtë për familjarët e 10 lubotenasve të vrarë.