BDI, në panikun e humbjes dhe rënies graduale në sy të opinionit publik shqiptar, ka nisur një ofensivë të papërmbajtur propagandistike, ku përpiqet të krijojë realitete të rreme përmes “anketave” të fabrikuara në zyrat e Artan Grubit në ekzil. Këto pseudo-anketa që po qarkullojnë në disa media të përlyera dhe të paguara nga makineria propagandistike e Grubit, janë një përpjekje e dëshpëruar për të rikrijuar artificialisht një perceptim se gjoja BDI po forcohet ndërsa VLEN po bie.
Qesharake dhe njëkohësisht fyese për inteligjencën e qytetarit është tentativa për ta paraqitur Arben Taravarin, një figurë që është braktisur nga mbi 80% e anëtarësisë së Aleancës për Shqiptarët, si liderin e dytë më të mbështetur pas Ali Ahmetit! Ky absurd politik që tenton të na shitet si realitet përmes grafikëve dhe titujve bombastikë, është dëshmi e asaj se sa e thellë është prishja e lidhjes së BDI-së me realitetin politik dhe shoqëror në vend.
Këto “anketa” nuk janë vetëm të pabesueshme, ato janë të rreme dhe propagandistike. Asnjë metodologji transparente. Asnjë të dhënë për numrin e të anketuarve. Asnjë informacion për mënyrën e realizimit a janë bërë përmes telefonit, ballë për ballë, apo me shënime nga zyra e Grubit? Nuk ka ndarje gjeografike, as përfaqësim të drejtë të grupmoshave, gjinive, profesioneve apo përkatësisë etnike. Në mungesë të çdo kriteri shkencor dhe etik, këto produkte nuk janë sondazhe, por thjesht vegla të një makinerie propagandistike që synon të manipulojë opinionin dhe të demoralizojë pozitën.
Të njëjtat media që shpërndajnë këto “rezultate” janë mjetet e propagandës së BDI-së, të paguara, të komanduar dhe të dirigjuara drejtpërdrejt nga GRUBI. Nuk janë media të afërta me BDI-në, janë media të kapura, media mercenare që nuk publikojnë lajme, por skenarë.
Kjo skemë e fabrikuar është vetëm një pjesë e planit të madh të destabilizimit politik dhe shoqëror që Grubi dhe kompania kanë nisur në mënyrë të koordinuar. Nuk ka kaluar as një ditë nga publikimi i një videoje të vjetër që paraqitej si “konflikt ndëretnik”, duke u përdorur për të ndezur tensione mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Një skenar i rrezikshëm që për fat të keq po tolerohet ende nga institucionet e sigurisë.
Nuk është çudi që nesër të shohim deponi në flakë, pyje në zjarr, tensione të shtuara në rrugë dhe për çdo incident të akuzohet VLEN dhe qeveria aktuale si të paafta. Kjo është strategjia e fundit e një partie që e ka humbur besimin te votuesi dhe po përpiqet ta fitojë pushtetin me frikë, me manipulim dhe me shpifje.
Zgjedhjet kaluan. Vota foli. Populli shqiptar e dha verdiktin. Dhe tani, as sondazhet e fallsifikuara, as videot e montuara, as tymi i deponive të djegura nuk mund ta ndryshojnë atë që është e qartë si drita e diellit: BDI është në rënie të lirë. VLEN është forca që përfaqëson shpresën dhe ndryshimin.
Mos u mashtroni nga fabrikat e gënjeshtrave. Propaganda është arma e fundit e të humburve./fol.mk