Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, dhe kryetari i Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacion, Goran Angelovski, morën pjesë sot në dorëzimin e 33 motoçikletave të reja policore dhe pajisjeve mbrojtëse për policinë e trafikut, përcjell TV21. Bëhet fjalë për motoçikleta “Piaggio Beverly 310 HPE”, së bashku me helmeta, xhaketa, pantallona, çizme dhe doreza verore e dimërore.
Vlera e përgjithshme e prokurimit është 16.845.561 denarë, ose rreth 274 mijë euro. Duke e ndarë shumën në 33 motoçikleta, së bashku me pajisjet mbrojtëse, kostoja mesatare është rreth 8.300 euro për një motoçikletë me kompletin e pajisjeve.
Toshkovski tha se modernizimi i policisë së trafikut, së bashku me sistemin “Qyteti i Sigurt”, synon uljen e numrit të aksidenteve, të të lënduarve dhe viktimave në rrugë.
“Pas çdo numri qëndron një jetë njerëzore. Nëse me këto masa arrijmë të shpëtojmë qoftë edhe një jetë, atëherë çdo denar dhe çdo përpjekje ia kanë vlejtur”, tha Toshkovski.
Nga Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacion theksuan se investimet në pajisje moderne do të kontribuojnë në rritjen e sigurisë në rrugë dhe forcimin e kontrolleve të trafikut.

