Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka përkujtuar viktimat e protestave të 6 nëntorit 1992 në Bit Pazar, ku katër persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën si pasojë e përdorimit të forcës nga policia.
Me rastin e 34-vjetorit të ngjarjes, Mexhiti ka bërë të ditur se në emër të Komunës së Çairit janë vendosur kurora me lule në nderim të katër viktimave.
Në reagimin e tij, Mexhiti ka theksuar se ngjarjet e 6 nëntorit shënojnë një pikë kthese në angazhimin qytetar të shqiptarëve për barazi dhe respektimin e të drejtave të tyre.
Ai ka vënë në pah se përgjegjësia e institucioneve sot është mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të shqiptarëve, por edhe garantimi i barazisë për të gjitha komunitetet.
“Barazia duhet të shihet çdo ditë në mënyrën se si institucionet i trajtojnë, i mbrojnë dhe u shërbejnë qytetarëve”, ka theksuar Mexhiti.
Në fund, kryetari i Çairit ka shprehur solidaritet me familjet e viktimave dhe qytetarët që i mbijetuan dhunës së asaj dite, duke përfunduar mesazhin me fjalët: “I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave të 6 nëntorit.”

