42 kandidatë janë në listën për intervistim nga komisioni që duhet të zgjedhë anëtarët e rinj të Komisionit Shtetëror Kundër Korrupsionit. Komisioni që bën intervistimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve përbëhet nga përfaqësues i Avokatit të popullit, Qendra maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar në Shkup, anëtar i Këshillit për bashkëpunim mes qeverisë dhe sektorit civil, anëtar i Këshillit për bashkëpunim mes qeverisë dhe sektorit të mediave, tre deputetë të shumicës dhe dy të opozitës. Ndër emrat e kandidatëve që më shumë njeh publiku janë anëtari aktual i KSHZ-së i përzgjedhur nga LSDM-j Boris Kondarko, gjykatësve Sllavica Andreevska dhe gazetari Daut Dauti. Ndërkohë në mesin e kandidatëve ka persona të punësuar nëpër institucione shtetërore por edhe në sektorin civil. Në intervistimin e disave prej tyre, u theksua ideja e bashkëpunimit institucional mes organeve hetuese që puna e Antikorrupsionit të jetë efikase.

“Gjyqësori dhe Prokuroria janë alfa dhe omega që të mundemi të flasim dhe më tej për parandalimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pa to, nuk mund të funksionojë asnjë isntitucion”, deklaroi Oliver Vuzaj, kandidat.

Për kryetar mund të zgjidhet personi i cili është shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe që jeton në vend, ka arsim të lartë në fushën e shkencave juridike ose në fushën e shkencave politike, të komunikimit ose ekonomike. Kërkohet të paktën dhjetë vjet përvojë pune, prej të cilave, tetë vjet duhet të jetë në fushat e zbulimit ose parandalimit të korrupsionit, sundimit të ligjit apo qeverisjes së mirë.

Kandidatët tjerë duhet të kenë gjashtë vite aktivitet në fushat që lidhen me zbulimin e korrupsionit. As kryetari dhe as anëtarët nuk mund të jenë deputetë, as në Qeveri, as donatorë ose funksionarë në ndonjë parti politike.

Anëtarëve aktualë të Komisionit Kundër Korrupsionit, Biljana Ivanovska, Vladimir Georgiev, Sofka Pejovska Dojçinovska, Katica Nikollovska, Nuri Bajrami, Goran Tërpenoski dhe Shemsi Sallai, mandati u skadon më 7 shkurt të vitit të ardhshëm dhe nuk kanë të drejtë rizgjedhjeje. Komisioni i ri duhet të fillojë funksionimin më 8 shkurt të vitit të ardhshëm. /Alsat.mk