Sipas njoftimit të zëdhënësit të partisë, Bujar Osmani, në mbledhje është diskutuar për zhvillimet politike në vend, parapërgatitjet për zgjedhjet, zgjedhjet brendapartiake dhe për çështje të ndryshme,njofton Portalb.mk

Partia, sipas njoftimit, ka miratuar vendim për pjesëmarrje në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, ndërkaq për kryeministër të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut nga 28 janari, deri në mbajtjen e zgjedhjeve, të jetë kryetari aktual i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Shef i Shtabit Qendror Zgjedhor për Zgjedhjet e vitit 2024 është zgjedhur, ministri aktual i Financave, Fatmir Besimi.

Partia e ka autorizuar kryetarin e saj, Ali Ahmeti “që të vazhdojë diskutimet me partitë politike dhe të marrë vendim për koalicionimet eventuale për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare”.

Prej te Naser Ziberi, deri te Talat Xhaferi

Më 05 qershor të vitit 2020, kur kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në shënimin e 18 vjetorit të themelimit të partisë, shpalosi idenë e kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. “Të realizojmë synimin për të zgjedhur një personalitet të vlerësuar, të dëshmuar dhe të pranueshëm të cilin ose të cilën do ta përzgjedhim bashkërisht për kryeministrin e parë shqiptar. Akoma nuk është përmbyllur e gjitha dhe prandaj, tash ka ardhur koha për diçka të madhe”, pati deklaruar atëkohë Ahmeti.

Ky ishte edhe slogani i fushatës së tyre, me të cilën joshën elektoratin shqiptar. Madje gjatë fushatës ai u shpreh se mund ta kërkojnë edhe presidentin e shtetit.

Ky ishte premtimi më i madh dhe kryesori i zgjedhjeve të atij viti, i cili i solli fitore prej 15 deputetësh Bashkimit Demokratik për Integrim. Ali Ahmeti fliste me bindje të plotë gjatë fushatës parazgjedhore se një premtim i tillë do të realizohet me çdo kusht.

Fillimisht u shpalos vetëm si ide, ndërsa më pas, Naser Ziberi edhe zyrtarisht u bë kandidati i BDI-së për kryeministër shqiptar. Ziberi pati deklaruar se oferta e BDI-së e ka befasuar për të mirë. Sipas tij, kjo është historike për vendin pasi shqiptarët kanë kthyer besimin në institucione dhe kanë filluar të ëndërrojnë. Por, vetëm disa ditë më herët në prononcime për media, Ziberi duke mos e ditur se ai do të jetë kandidati për kryeministër shqiptar, ketë ide e kishte vlerësuar si propagandë partiake dhe joatraktive sidomos për votuesit shqiptar. Ai kishte thënë se kjo është e realizueshme vetëm në sajë të një marrëveshje me partitë e tjera, të cilën, në këtë rast, BDI-ja nuk e ka.

Dy liderët e partive më të mëdha maqedonase Zaev dhe Mickoski e vlerësuan si kandidat “shpic”, i cili nuk ofron program dhe se nuk do të mund t’i ndihmojë BDI-së për 20 ditë fushatë, pasi të njëjtës i duhen katër vite në opozitë që të reformohen.

Por pas përfundimit të zgjedhjeve, LSDM dhe BDI filluan bisedimet për formimin e Qeverisë ku edhe arritën marrëveshje që kryeministër me mandat 4-vjeçar të jetë Zoran Zaevi, ndërkaq në 100 ditët e fundit të mandatit, BDI do të propozojë kuadër për kryeministër shqiptar.

Kryetari i BDI-së, pasi i propozoi emrat e kabinetit të ri qeveritar, tha: Naser Ziberi, kontribuoi shumë në këtë sukses historik dhe me siguri që do të marrë përgjegjësi partiak në shërbim të qytetarëve. Ziberi është noter dhe ai vazhdon veprimtarin e tij deri në një moment kur të dakordohemi për ndonjë përgjegjësi të rëndësishme, që ka të bëjë me profesionin e tij.

Kështu partitë u dakorduan Ziberin ta bëjnë Avokat të Popullit, i cili solemnisht u betua në prani të kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi.

Në pyetjen e mediave se “nëse detyra e Avokatit të Popullit është kompensim për p?stin kryeministër”, Ziberi u përgjigj se “nuk është as kompensim as dhuratë”.

“Angazhimi i im deri më tani dhe njohuritë e mia si jurist, janë garancion se këtë funksion të rëndësishëm për qytetarët do ta ushtroj në mënyrë profesionale” tha mes tjerash, Ziberi.

Çështja e kryeministrit të parë shqiptar së fundmi i soll sërish në vëmendje, pasi që Ky reagim nga BDI erdhi pasi kryetari i VMRO–DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pas takimit në qershor të këtij viti me kryeministrin, Dimitar Kovaçevski, shprehu gatishmërinë që VMRO-ja të hyjë në qeveri, por jo bashkë me BDI-në. Nga BDI menjëherë reaguan dhe thanë se e pranojnë këtë ofertë, që të mos jetë në qeveri, por që fillimisht të bëhen ndryshimet kushtetuese, të cilat janë të domosdoshme për vazhdimin e bisedimeve me BE-në.

Madje, BDI tha se do të heqë dorë edhe nga pozita e kryeministrit të parë shqiptar, por megjithatë, kjo nuk u realizua, pasi që VMRO-DPMNE u tërhoq nga bisedimet./Portalb.mk