Të punësuarit e Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” të Tetovës sot bojkotuan mësimin për shkak të mos lëshimit në kohë t rrogës së nëntorit, që vjen si pasoj e përplasjes mes komunës dhe Ministrisë së Arsimit. Kjo e fundit muaj më parë për të dytën herë ia mori ingerencat kryetarit të komunës mbi gjimnazin e Tetovës.

Profesorët e gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” thonë se kjo nuk është hera e parë që iu vonohet rroga, por këtë herë është tejkaluar edhe afati ligjor (15 ditor) që sipas tyre nuk ka ndodhur më parë. Kërkojnë që rrogat të lëshohen sa më shpejtë, ose në të kundërtën greva do të vazhdoj edhe në ditët në vijim.

“Kërkojmë me urgjencë përgjigje në afat më të shkurtër të mundshëm. Nëse Ministria nuk na jep përgjigje ne do vazhdojmë me grevën deri në fund të javës, bile me kolegët jemi në konsultim për mbajtjen apo jo të këshillave të klasës, andaj insistojmë me çdo kusht që Ministria deri në fund të javës ta kryej obligimin e vet”, tha Jeton Kamberi, kryetar i Këshillit të Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”. /Alsat.mk