Sot në kazermën “Ilinden” është organizuar ceremoni për pritjen e 150 ushtarëve të rinj profesionistë në radhët e Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Këtë vit në ushtri janë pranuar gjithsej 300 ushtarë profesionistë, nga rreth 1900 kandidatë që kanë aplikuar për dy konkurset publike. Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska u tha ushtarëve profesionistë të saporekrutuar se nderi i veshjes së uniformës së ushtrisë është i madh dhe se qëllimi i tyre, prej të cilit nuk duhet të heqin dorë kurrë, është shërbimi ndaj atdheut, transmeton Portalb.mk.

“Është një nder i madh që të jepet të veshësh uniformën e ushtrisë, por edhe më i madh është detyrimi që merr. Rruga që po filloni sot nuk është aspak e lehtë, por është fisnike. Përgatituni për sfida, tundime, sakrifica, por kurrë mos hiqni dorë nga qëllimi juaj i vetëm për t’i shërbyer Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha ministrja në ceremoni.

Petrovska theksoi se falë përkushtimit, profesionalizmit, por mbi të gjitha dashurisë për atdheun dhe sakrificës personale, sot Armata është një ushtri moderne, bashkëkohore në të cilën pjesëtarët nuk pyesin pse dhe nuk kërkojnë arsyetime, por thonë “menjëherë” dhe veprojnë.

“Edhe në vitin 2023 janë shënuar shumë suksese të pjesëtarëve të ushtrisë sonë, që nga pjesëmarrja në stërvitje, fitimi i medaljeve, pjesëmarrja në misione paqeje, por edhe pa hezitim pjesëmarrja në misionet e shpëtimit. Të jesh ushtar, oficer apo nënoficer nuk është e lehtë dhe pikërisht për këtë zgjedhim më të mirët”, nënvizoi Petrovska.

Në konkursin për pranimin e 150 ushtarëve profesionistë janë regjistruar 1144 kandidatë, që vjen si pasojë e rritjes së standardit të pjesëtarëve të ushtrisë, kushteve të punës dhe zhvillimit të Ushtrisë.

Në ceremoni morën pjesë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneral-kolonel Vasko Gjurçinovski dhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Tiron Jajaga.

Kujtojmë se ARM-ja është furnizuar me 32 automjete të lehta të blinduara JLTV, dhe në pajtueshmëri me planin duhet të arrijnë gjatë vitit 2024.

“Në Ministri dhe Armatë tanimë dihet se si do tí shfrytëzojmë mjetet për vitin e ardhshëm. Furnizimet e JLTV, në të Strajkerëve, marrëveshjet që i kemi nënshkruar vitin e kaluar me Turqinë për furnizimin e sistemeve për mbrojtje kundërajrore, me Çekinë për remont të dy helikopterëve të cilët tanimë i kemi dhe të cilët do të shfrytëzohen derisa nuk arrijnë helikopterët e rinj për të cilët procedura tanimë është në fund, procedurat janë disavjeçare pasi që janë shuma të mëdha financiare që të paguhen më shumë vite”, njoftoi Petrovska në fund të muajit qershor të këtij viti.