Shefi i diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani është mysafir në Click. Ai ka folur për paralajmërimin se në zgjedhjet e radhës në Maqedoninë e Veriut, do të marrë pjesë edhe partia në pushtet në Kosovë – Vetëvendosje.

Osmani thotë se kjo nuk paraqet risi, megjithëse përvoja paraprake – si me kandidatin për president – Blerim Rekën ka dëshmuar se nuk pati ndonjë impakt.

“Kishim ish ministrin e Kosovës kandidat për president, edhe pse dinamikë tjetër, zotëri Reka dhe angazhimi i tij nuk ka krijuar ndonjë impakt te populli shqiptar, sepse skena politike shqiptare është e konsoliduar”, tha Osmani.

Por në rafshin rajonal, Osmani tha se angazhimi i VV-së mund të sjellë impakt më të madh dhe të legjitimojë pjesëmarrjen e shteteve rajonale në zgjedhjet në Maqedoni.

“Në anketat e maqedonasve vend më miqësor paraqitet Serbia. Presidenti Vuçiq është mjaft popullor në Maqedoninë e Veriut. Po që se krijohet një praktikë e tillë, e angazhimit të faktorëve politikë në rajon, kujtoj se do të nis një kompeticion rajonal. Bullgarët sigurisht se nuk do e lenë terrenin zbrazët nëse serbët pretendojnë se ka një legjitimim të pjesëmarrjes aktive dhe do t’i tollovit dinamikat, të cilat në Maqedoni janë stabile në marrëdhëniet ndëretnike”, shtoi më tej Osmani.

Gjithashtu shtoi se kjo do të ndikonte edhe në fragmentimin e skenës politike shqiptare.

“Ne kemi thënë se nuk ka nevojë për më shumë subjekte politike. Partia e tretë vetëm se do ta fragmentonte skenën politike shqiptare”, përfundoi Osmani.