Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti në një intervistë për Top Story ka bërë dallimin mes kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përcjell agjencia e lajmeve INA.

Ahmeti thotë se, Edi Rama asnëherë nuk ka ndërhyrë në zgjedhjet në Maqedonisë e Veriut, përkundrazi ai ka bërë përpjekje për unifikim të faktorit shqiptarë.

Ahmeti për Albin Kurti ka mendim ndryshe.

“Albin Kurti ka ndërhyrë në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut. Për shembull kjo ka ndodhur në zgjedhjet presidenciale, kur Albin Kurti pati mbështetur kandidatin e opozitës shqiptare, Blerim Rekën. Kjo ka ndodhur derisa ne kishim një marrëveshje për president konsensual, që do ishte zoti Stevo Pendarovski. Kjo sepse shqiptarët nuk mund t’a fitojnë me vota presidentin”, është shprehur Ahmeti.
Ai thotë se edhe në këto zgjedhje parlamentare kemi një ndërhyrje të Albin Kurtit.

“Shumë nga përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar kanë shprehur interesim pse zoti Kurti do të hap parti në Maqedoni. Ata kanë thënë se Kurti pastaj ankohet kur Vuçic ndërhynë në zgjedhjet në Kosovë”, ka theksuar lideri i BDI-së.

“Unë Asnjëherë s’kam kërkuar mbështetje nga Kosova dhe Shqipëria. Unë kam dashur që të ndërtohen marrëdhënie ndërshtetërore”, ka thënë Ahmeti. (INA)