Bashkëshortja e drejorit të Agjencisë së Inteligjencës, Erold Musliut, merr grantë prej qindra mijëra eurosh. Përderisa Musliu është zyrtar i emëruar nga Pendarovski, bashkëshortja e tij përmes organizatës së saj joqeveritare, ka marrë një grant prej 620 mijë eurosh.
Mbi këtë reagon deputeti i VMRO-DPMNE, Dragan Kovacki, duke thënë se Qeveria është dashur të lidhë memorandum me Konsorciumin e Organizatave Joqeveritare, pasiqë ndryshe nuk ka mundur që ta marrë grantin.
Dragan Kovacki, deputet i VMRO-DPMNE
“Për t’i marrë paratë gruaja e Erold Musliut, Qeveria është dashur të lidhë memorandum me Konsorciumin e Organizatave Joqeveritare, themelues i të cilit është organizata joqeveritare e gruas së tij. Ndryshe, bashkëshortja e Musliut nuk ka mundur ta marrë grantin prej 620 mijë eurosh përmes Konsorciumit të prokurorisë publike”.
Kovacki potencon se gjëja kryesore është se në një seancë të Qeverisë ku mori pjesë edhe zëvendëskryeministri Bytyqi, ai e udhëzoi koordinatorin nacional për luftë kundër terrorizmit që të lidh një memorandum me këtë konsorcium, pikërisht në fushën e sigurisë.
Deputeti thotë se përkatësisht, për shkak të vendimit të Qeverisë për lidhjen e memorandumit, paratë nga granti kanë përfunduar në organizatën joqeveritare të bashkëshorteve të drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës dhe zëvendëskryeministrit.
Ai i bën thirrje Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Prokurorisë Publike që të hetojnë rastin dhe të informojnë publikun nëse zyrtarët kanë keqpërdorur pozitën e tyre dhe kanë përdorur ndikimin e tyre për të marrë një vendim që është në interes të një pale të tretë, në këmbim të përfitimit material ose jomaterial. /SHENJA/