Kryetari i Aleancës për Shqiptarët përmes një postimi në platformën X (Twiter) i ka dërguar mesazh të qartë ish kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe partisë së tij, duke i bërë thirrje që të respektohen vendimet legjitime të ASh-së.

“Dje, 75 prej 141 anëtarëve të Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët dhe 17 prej 30 anëtarëve të Kryesisë së saj, më dhanë një mandat të qartë për të negociuar një koalicion parazgjedhor me opozitën shqiptare.

Besimi i tyre është nder dhe përgjegjësi e madhe. Aleanca për Shqiptarët është më e fortë dhe unike se kurrë më parë.

Vërej me shqetësim përpjekjet për të thyer besimin e krijuar me ish-kryeministrin Kovaçevski, kur Aleanca për Shqiptarët bëri një sakrificë duke iu bashkuar qeverisë për t’i dhënë një shans rrugës së anëtarësimit të vendit në BE. U bëj thirrje të gjitha palëve të sillen me përgjegjësi dhe të respektojnë ligjshmërinë e vendimeve të marra nga organet legjitime të Aleancës për Shqiptarët”shkruan Arben Taravari në X (Twiter).