Lajme
Shqiptare
Ballkan
Botë
Ukraina
Sport
Shqiptar
Ndërkombëtar
Rozë
Shqiptar
Ndërkombëtar
Ekonomi
Biznes
Tregjet
Art Jetese
Moda
Shëndeti
Ushqime
Horoskopi
Kulturë
Kino
Libra
Muzikë
Teknologji
OP-ED
Kolumne
Editoriale
Analiza
N’Shënjestër
Lajme
Samiti BE-Ballkani Perëndimor pa Kosovën dhe Malin e Zi, çfarë pritet të sjellë takimi i liderve në Tiranë
SHQIP
Publikuar: 18 minutes ago (29.02.2024 11:01:24)
Pas atij kushtuar Ukrainës, mbahet sot në Tiranë një tjetër samit, ai i BE-Ballkani Perëndimor, ku në fokus do të jetë zbatimi i Planit të Rritjes Ekonomike, si rruga drejt integrimit të rajonit në BE.
Kryeministri Edi Rama ka ftuar për të marrë pjesë në këtë samit përfaqësues të BE-së, siç është Komisioneri për Zgjerimin e Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.
Ndonëse dje e pranishme në samitin kushtuar Ukrainës ishte presidentja Vjosa Osmani, sot Kosova nuk do të ketë përfaqësues, ndërkohë që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç do të marrë pjesë. Po ashtu në këtë samit merr pjesë dhe kryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.
Kosova në samit do të përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti, i cili nuk do të marrë pjesë fizikisht, por do të marrë pjesë virtualisht.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu për mediat.
Ai ka treguar se Kurti nuk do të marrë pjesë fizikisht për shkak të angazhimeve.
“Për shkak të angazhimeve të mëparshme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk do të jetë i pranishëm fizikisht në Samitin e sotëm në Tiranë. Megjithatë kryeministri Kurti do të jetë pjesë e Samitit virtualisht përmes një video-adresimi”, tha Kryeziu.
Samitit të Tiranës nuk i është bashkuar as kryeministri i Malit të Zi Milojoko Spajiç. Një ditë më parë kryeministri malazez ishte i pranishëm në Samititn për Ukrainën që gjithashtu u zhvillua në Tiranë.
Mesazhi i Ramës
Dhe teksa pritet që të nisë punimet samiti BE-Ballkani Perëndimor, ku në fokus do të jetë plani i ri i rritjes, vjen një reagim nga kryeministri Edi Rama.
Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ Rama thekson se ky plan do të mundësojë një mbështetje të re për gjashtë vendet e rajonit.
“MIRËMËNGJES dhe me veçantinë e një tjetër dite, ku Shqipëria mikpret Samitin e Ballkanit Perëndimor me BE për Planin e Ri të Rritjes, i cili do të mundësojë një mbështetje të re për gjashtë vendet e rajonit tonë, ju uroj të gjithëve një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
AGJENDA 29 shkurt
Ora 9.30-9.45- Mirëseardhja nga Kryeministri Rama – Vendi: Pallati i Kongreseve
9.45-10.0- Fjala e hapjes Kryeministri Rama dhe Komisioneri Várhelyi
10.00-10.45- Paneli I: Hyrja në Tregun e Përbashkët
10.50- Foto familjare
-11.00- Pushim për kafe
11.00-11.45- Paneli II: Plani i rritjes
Ora 11.45-11.50- Konkluzione të dhëna nga Kryeministri Rama
12.00-12.30- Ceremonia e Nënshkrimit të Marrëveshjes
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirlliu, Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha dhe Rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini, në prani të kryeministrit Edi Rama dhe komisionerit Olivér Várhelyi.
Ora 12.30-13.15- Konferencë për shtyp e kryeministrit Rama dhe komisionerit Várhelyi.
Çfarë parashikon plani për rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor?
Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende. Një samit i ngjashëm për këtë plan u mbajt më 22 janar në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Plan i ri për rritje ekonomike në vendet e Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga Komisioni Evropian, më 8 nëntor të vitit 2023, është i bazuar në katër shtylla. Shtylla e parë është “forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së”. Kjo do të varet nga përshtatja e vendeve të rajonit me rregullat e tregut unik dhe paralelisht hapja e tregut të tyre në sektorët përkatës për vendet fqinje. Shtylla e dytë e këtij plani është “forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal”.
Kjo, sipas përvojës së BE-së do të ndikojë në një rritje potenciale ekonomike prej 10 për qind. Shtylla e tretë e këtij plani është “përshpejtimi i reformave fondamentale”. Kjo nënkupton dhe sundimin e ligjit që ndihmon edhe në tërheqjen e investimeve direkte të huaja dhe forcon stabilitetin rajonal. Shtylla e katërt e planit të ri të Komisionit Evropian për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor është “rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat”. Këtu përfshihet edhe propozimi për 6 miliardë euro ndihmë.
Pasi vendet e rajonit në raportet tregtare me Bashkimin Evropian përfitojnë edhe nga Marrëveshjet përkatëse të Stabilizim-Asociimit, KE-ja propozon që të shkohet edhe përtej kësaj, duke bërë edhe ndryshime në këto marrëveshje për të mundësuar kushte të barabarta në treg dhe mes vendeve në procesin e zgjerimit dhe vendeve anëtare të BE-së. Të gjitha këto qëllime janë në përputhje edhe me idetë që po realizohen përmes Procesit të Berlinit, si dhe krijimin e “tregut të përbashkët rajonal”.
©fol.mk