Nga Nafije SELMANI
Të qëndruarit pasiv, indiferent, ose neutral rreth zhvillimeve shoqërore/politike, gjithnjë mund të të jep një fare “rehatie e komoditet” dhe të të bëjë “mik/e” me të gjithë. Por, këtë cilësi, as nuk e kam të lindur e as të fituar, ndaj edhe pse e pa përfshirë formalisht në ndonjë parti politike aktualisht, kam vendosur që në lidhje me zgjedhjet presidenciale të 24 prillit, të përcaktohem ta mbështes kandidaturën e Arben Taravarit.
Për herë të parë, për Arben Taravarin, kam dëgjuar si mjek/neurolog nga njerëz që kanë qenë pacientë të tij, ose familjarët e tyre. Të flitet me aq konsideratë, aq shumë fjalë miradije, e të thotë dikush: Atë mjek e shoh afër Zotit, meqë je ndarë shumë i kënaqur nga shërbimi, është përtej detyrës mjek. Më pas, e kam njohur nga mediat si Kryetar i Komunës së Gostivarit, për çka e udhës është të flasin banorët e Gostivarit, jo unë, e ata kanë folur, duke e votuar dy herë radhazi.
Nga debatet televizive shihet qartë formimi i tij i mirë njerëzor. Ai nuk është kundërshtues, por është argumentues. Në sulmet e ashpra dhe të padrejta, ai përgjigjet me butësi dhe kulturë.
Nisur nga kjo, jam e bindur se nga të gjithë kandidatët presidencialë, e sidomos karshi rivalit të tij të drejtpërdrejtë Bujar Osmani, ai është personi i cili në mënyrë më të denjë mund t’i artikulojë nevojat reale të popullatës shqiptare në veçanti, por edhe të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në përgjithësi.
Nga ana tjetër, e ndiej edhe si obligim moral e politik këtë mbështetje, sepse ishte pikërisht Arben Taravari, ai i cili nuk u pri nga interesi personal, por zgjodhi rrugën e vërtetë për veprimin politik në të ardhmen, duke iu bashkangjitur frontit opozitar shqiptar, si mundësi e vetme për ta derguar ne opozitë BDI-në, pas 22 viteve të plota.
Mbështetja ime, të cilën askush nuk e ka kërkuar, e as sponzorizuar, nuk do të jetë vetëm formale dhe personale, apo thjesht një marketing politik, por do të kërkoj nga të gjithë ata që më njohin e kanë besim tek unë (përfshirë këtu edhe familjarë dhe miq të mi nga Kosova e të cilët kanë ndonjë lidhje këtu), që ta mbështesin Arbenin dhe të ndikojnë edhe tek të afërmit e tyre, që votën e tyre të lirë, gjënë më të shtrenjtë që ka demokracia, ta investojnë aty ku është shpresa, aty ku është prosperiteti, aty ku është NDRYSHIMI, aty ku ia VLEN.
Këtë do ta bëj në kontinuitet deri ne ditën e Votimit, edhe në jetën publike/virtuale, edhe në jetën e bisedat private me familjarë, miq, fqinjë, e të njohur të mi.