Me fillimin e fushatës presidenciale, koalicioni VLEN, mbrëmë kishte hapjen e Shtabit Zgjedhor në Dibër. Në hapjen e Shtabit Zgjedhor, kandidati për president, Arben Taravari foli për mbi programin programor, përkatësisht për Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.
“Një prej katër shtyllave të programit tonë presidencial është Kushtetuta. Ju e dini që Kushtetuta e Maqedonisë që u votua në vitin 1991, nuk u votua prej shqiptarëve dhe nuk u përkrah asnjëherë prej shqiptarëve. I ndjeri Arbën Xhaferi thoshte, Kushtetuta është gjeneratore e krizave politike në Maqedoni dhe kështu ishte, kjo ishte e vërteta deri sa nuk ndodhi konflikti në vitin 2001 dhe u plotësua dhe u ndryshua kjo Kushtetutë, por asnjëherë Marrëveshja e Ohrit nuk është zbatuar deri në fund. Edhe sot e kësaj dite, shtylla kryesore e Marrëveshjes së Ohrit ishte decentralizimi fiskal dhe ajo nuk ndodhi, vetëm në letër dhe kurrë nuk u zbatua”, tha Taravari.
Taravari tha se me ndryshimet kushtetuese, koalicioni VLEN duhet të kushtëzojë me heqjen e 20% për gjuhën shqipe dhe zgjedhje e presidentit të bëhet përmes kuvendit.
“E kemi përmendur edhe zgjedhjen e presidentit me votim në Parlament. Maqedonia është demokraci parlamentare, kompetencat presidenti në Maqedoni i ka njëlloj presidenti në Kosovë, Shqipëri, Greqi, Gjermani dhe gjithandej presidenti zgjidhet në Parlament. Kushti ynë është që presidenti të zgjidhet në Parlament me 2/3 e votave dhe me Bandenter dhe në qoftë se dy herë nuk mund të zgjidhet, herën e tretë duhet të shkohet me shumicë të thjeshtë, ose 61 deputetë dhe me Badenter”, tha Taravari.
Sipas Taravarit, ndryshimi do të ndodhë më 9 maj, një ditë pas zgjedhjeve, Maqedonia do të ketë një Qeveri të re.
“Ndryshimi do të ndodhë 100%, kemi dilema në dallimin. Izeti, Bilalli dhe Afrimi janë shumë ma optimistë se dy me një, unë them disa deputetë më shumë sigurisht, por kjo varet edhe prej punës dhe angazhimit që do ta bëjmë ne, por ta dini se më 9 maj, me Ditën e Evropës, do të kemi në Qeveri të re”, tha Taravari.