Izet Mexhiti nga koalicioni VLEN sot në një konferencë për shtyp pyeti kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti se a u ka dhënë urdhër organizatave komunale që të bojkotojnë zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 8 maj.

Mexhiti tha se BDI tani po mundohet të shkaktojë krizë politike në vend për të shpëtuar të korruptuarit në radhët e veta, duke u munduar që qeveria teknike të zgjasë më shumë se 100 ditë.

“Sot pyesim publikisht se a është e vërtetë se ju keni dhënë urdhër organizatave komunale që të organizojnë bojkot të rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale edhe pse jeni takuar me Stevo Pendarovskin dhe i keni premtuar mbështetje. Nëse kjo është e vërtetë pse nuk i bojkotuat zgjedhjet presidenciale të vitit 2019-të. Çfarë keni ndryshuar nga atëherë.

A po mundohuni që të pengoni formimin e një shumice të re parlamentare të sigurojë ndryshimet kushtetuese në afat prej gjashtë muajsh pas formimit të qeverisë së re”, tha Mexhiti.

Ai shtoi se tani kur BDI duhet të merr përgjegjësi për skandalet korruptive, po përpiqet që të keqpërdor vullnetin e popullit shqiptar.

Mexhiti tha se pas 8 majit do të ketë qeveri të re me VLEN-in në qeveri, do të ketë shumicë të badenterit dhe do të sigurohen fundamentet e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.