Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka marrë pjesë në organizimin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, në prag të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit. Përmes një postimi, Mexhiti ka vlerësuar afrimin dhe bashkëpunimin mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, duke veçuar projektin One Stop Shop si një lehtësim për lëvizjen e qytetarëve. Ai gjithashtu ka kujtuar 20-vjetorin e vendosjes së shtatores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në sheshin e Shkupit.
“Sonte, në organizimin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, në prag të 28 Nëntorit, shënojmë një nga datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.
Ky 28 Nëntor na gjen më afër Shqipërisë se kurrë, me lehtësimin e lëvizjes përmes projektit One Stop Shop dhe me një bashkëpunim që po merr gjithnjë e më shumë përmbajtje. Këto zhvillime i japin një dimension të veçantë marrëdhënieve tona, sepse afrimi mes shqiptarëve duhet të jetë i dukshëm edhe në jetën e përditshme të qytetarëve.
Këtë vit shënojmë edhe 20-vjetorin e vendosjes së shtatores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në sheshin e Shkupit. Dy dekada nga vendosja e figurës së heroit tonë kombëtar në qendër të qytetit, një simbol që e lidh historinë tonë me hapësirën publike të Shkupit.
Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit!”, ka shkruar Izet Mexhiti.

