Qeveria e re do të formohet shumë shpejt, tha kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, në fjalimin e tij gjatë shpalljes së fitores në zgjedhje. Mickoski tha se ka qenë dhe është në komunikim me liderët e koalicionit VLEN për qeverinë e ardhshme dhe tha se do të bisedojë edhe me pari të tjera opozitare duke mos potencuar nëse zgjedhja e tij e parë do të jetë “ZNAM” ose “E Majta”.
“Shumë shpejt do të fillojmë negociatat me partitë e opozitës për formimin e koalicionit dhe qeverisë më të mirë për Maqedoninë tonë. Maqedonisë i duhet kulturë politike e nivelit më të lartë ku partitë do të respektohen dhe do të bashkëpunojnë për interesat shtetërore. Jam i bindur se do ta formojmë këtë qeveri sa më shpejt dhe procesi do të jetë transparent”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Komunikimin me Mickoskin e konfirmoi edhe kreu i Besës Bilall Kasami, nga sheshi Iliria në Tetovë ku festonte rezultatet e zgjedhjeve.
“Ne sapo kishim një komunikim me kryetarin e VMRO-së. Ne besojmë që sapo të kemi rezultatin e parë përfundimtar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve do të ulemi dhe do të bisedojmë për harmonizimin e programit qeverisës në qeverisjen e ardhshme 4 vjeçare dhe besojmë se duke pasur parasysh numrat dhe një shumicë të sigurt, ne besojmë se qeveria e ardhshme mund të formohet shumë shpejt”, tha Bilall Kasami, kryetar i Besës, VLEN.
Shtetit i duhet stabilitet, tha kreu i BDI-së Ali Ahmeti me ton kërcënues kur u pyet nëse partia e tij është e gatshme të shkojë në opozitë, pasi shpalli epërsi ndaj VLEN në disa komuna. Ahmeti ftoi Mickoskin tani pas fushatës të lërë anësh folklorizmin dhe të mendojë për qetësinë në shtet.
“Unë i uroj fitoren z. Mickoski. Nesër është 9 maji dhe të lëmë pas folklorizmin, të lëmë pas krahëve mendjemadhësinë por të rrekemi të gjithë të mendojmë për stabilitetin e shtetit, të ardhmen e shtetit sepse vetëm duke qenë racional mundemi stabilitetin, paqen, ta garantojmë në vendin tonë. Ne nuk do bëjmë lëvizje të pamatura… Më duket se nuk më lexuat kur thash se shtetit i duhet stabiliteti, i duhet ardhmëria, nuk duhet bërë matematika… Duhet të respektohet vota e shumicës së komunitetit shumicë në vend dhe për këtë duhet të mbajmë përgjegjësi të gjithë”, theksoi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.