BDI po mendon për një organizim të ri shtetëror, konkretisht mekanizëm të ri politik për mbrojtjen e rrugës evropiane të vendit.

Pjesa më e madhe e anëtarëve të Kryesisë Qendrore të BDI-së kanë kërkuar që, meqenëse po thyhen parimet e Marrëveshjes së Ohrit, po devalvohet vullneti demokratik i shqiptarëve, po cënohet Marrëveshja e Prespës, po rrezikohet rruga evropiane e shtetit duke u kundërshtuar ndryshimet kushtetuese, atëherë Maqedonia e Veriut duhet t’i nënshtrohet një organizimi tjetër politik.

Në BDI ka zëra që kërkojnë të shqyrtohen mekanizmat si Parlament dydhomësh, Federalizimi i shtetit, Konfederatë apo edhe procese tjera politike që mbrojnë demokracinë dhe rrugën e trasuar drejt Bashkimit Evropian.
“Në këtë vijë janë edhe zërat e partnerëve tjerë të Frontit Europian, ndërsa propozimet do të shqyrtohen ditëve në vijim. Propozimet dhe shqetësimet tona tashmë janë përcjellë edhe tek ndërkombëtarët, konkretisht te të gjitha ambasadat në vend”, thonë për KOHA në BDI.

Kulmi i pakënaqësisë, siç thonë në BDI, lshtë bashkimi VMRO-LSDM dhe e ndihmuar nga VLEN-i për t’ia marrë dy deputetë Frontit Europian, me qëllim që Fronti si parti e dyta më e madhe në shtet, të mos udhëheq me Komisionin Shtetëror Zgjedhor, me Komisionin parlamentar për financa, me Komisionin për Punë të Jashtme, me dy Komisionet që mbikëqyrin punën e shërbimeve sekret, me Komitetin për marrëdhënie ndëretnike…

“Shqetësimi më i madh është anulimi i mekanizmit të Badenterit dhe Balanserit, si dy mekanizma mbrojtës për të gjithçka që i tangon shqiptarët dhe etnitetet tjera në Maqedoninë e Veriut”, thonë në BDI. (koha.mk)