Në tremujorin e parë të vitit 2024, Bruto Prodhimi Vendor (BPV) u rrit me 1.2% në bazë vjetore, duke ruajtur dinamikën e paraparë ekonomike të vitit 2023. Aktiviteti ekonomik relativisht i përmbajtur është rezultat i dy tendencave kryesore. Nga njëra anë, eksportet shënuan një rënie relativisht të madhe prej 7.8%, më e thellë se ajo e vitit 2023, ndërkohë që nga ana tjetër, konsumi privat, që përbën një pjesë dominuese të BPV-së, u rrit me 2%, një rritje solide që reflekton rritjen e lartë të pagave reale (12.9%), edhe pse nën mesataren e një viti më parë. Kështu tregon hulumtimi i organizatës Finance Think, hulumtim ky i quajtur “Monitorimi Makroekonomik”, ndërsa sqaron se rritjen më të madhe në këtë tremujor e shënojnë investimet bruto prej 23.6%, që është një rikuperim i dukshëm pas ritmeve negative në vitin 2023, si dhe rezultat i investimeve në makineri dhe akumulimit të ri të inventarëve, raporton gazeta KOHA.
Nga ana e prodhimit, thuhet më tej në hulumtim, rritja në tremujorin e parë u gjenerua tërësisht nga sektori i shërbimeve (4.4%), ndërsa bujqësia (-19.7%), industria (-1.2%) dhe ndërtimi (-2.5%) shënuan rënie të ndjeshme, më të mëdha se ato në tremujorin e mëparshëm.
“Frenimi i aktivitetit ekonomik vihet re veçanërisht në lëvizjet e tregut të punës. Në tremujorin e parë të këtij viti, papunësia ra lehtë në 12.9% (nga 13% në tremujorin e mëparshëm). Punësimi dhe pasiviteti u ul lehtësisht në 45.4% (nga 45.5% në tremujorin paraardhës), pra në 52.1% (nga 52.2%). Dekurajimi i kërkimit të punës dhe pasivizimi i fuqisë punëtore filloi gjatë pandemisë dhe kjo tendencë vazhdon edhe sot e kësaj dite”, thuhet në hulumtimin e Finance Think. Në tremujorin e parë të vitit 2024, inflacioni mbeti në nivelin e tremujorit të mëparshëm, 3.4% me bazë vjetore.
Presionet e zbutura globale në ushqime dhe energji dhe çmimet ende të ngrira të produkteve ushqimore të përzgjedhura në një pjesë të këtij tremujori, si dhe ngadalësimi i transmetimit të presioneve inflacioniste në shportën e gjerë të konsumatorit, kanë mundësuar një ngadalësim të rritjes së çmimeve që në fund të vitit 2023, por në këtë tremujor – presioni nuk u zbut më tej, pasi në një pjesë të konsiderueshme, çmimet u rritën si pasojë e luhatjeve në tregje.
Ndryshime të lehta pozitive nga kufizimi aktual në ekonomi priten në gjysmën e dytë të 2024, parashikon hulumtimi i quajtur “Monitorimi Makroekonomik”. Perspektiva për inflacionin mbetet e favorshme, por varet nga faktorë kritikë që janë ende të pranishëm. Finance Think bën të ditur se ruan parashikimet e mëparshme për rritjen e BPV-së në vitin 2024 prej 2.7% dhe për rritjen e çmimeve prej 3.8%. (koha.mk)