Ish-mbrojtësi francez, Bacary Sagna ka zgjedhur lojtarin më të mirë të Arsenalit këtë sezon, duke dhënë edhe arsyet për zgjedhjen e tij.

Arsenali pati një sezon të mirë duke luftuar për titullin e Ligës Premier deri në fund me Manchester Cityn, ku shumë lojtarë patën paraqitje të jashtëzakonshme.

Megjithatë, sipas ish-mbrojtësit të Arsenalit, Sagna, Declan Rice ishte lojtari më i mirë i Topçinjve këtë sezon, duke lënë pas emra si Bukayo Saka apo Martin Odegaard, të cilët gjithashtu shkëlqyen.

“Kishte kaq shumë paraqitje të shkëlqyera nga Arsenali këtë sezon, kështu që është e vështirë të emërosh një lojtar si më të mirin, por nëse do të më duhej të zgjidhja një, atëherë do të ishte Declan Rice”, ka thënë fillimisht Sagna për Coin Poker.

“Unë mendoj se ai ishte një lojtar me të vërtetë i rëndësishëm për Arsenalin si brenda dhe jashtë fushës. Jam shumë i kënaqur që Arsenali e mori atë. Ai është një lider natyral dhe një fitues, dikush që rrit standardet e të gjithëve dhe i bën ata më të mirë”.

“Ne e kemi parë atë të ketë një ndikim masiv në sezonin e tij të parë. Ai është një lojtar i madh. Më pëlqen qëndrimi i tij. Më pëlqejnë udhëzimet e tij me lojtarët e tjerë dhe më pëlqen intensiteti i tij. Më pëlqen mënyra se si ai u përball me çmimin”, përfundoi ish-ylli i Arsenalit.