Një vit pas hapjes së lëndës për Drin Ahmetin, nipin e liderit të BDI-së Ali Ahmeti në lidhje me blerjen e Qendrës Tregtare “Soravia”, rasti ende është në procedurë parahetimore. Duke sqaruar masat që i ka ndërmarrë gjatë kësaj periudhe, Prokuroria për Alsat thekson se nuk janë të obliguar ligjërisht me afate për të vepruar.

“Pjesa më e madhe e dokumentacionit të mbledhur është siguruar dhe analizuar, pritet analiza e një pjese të dokumentacioneve që me urdhër të prokurorit të lëndës e zbaton Njësiti për Krim Financiar- Sektori për Hetime Kriminalistike në Sektorin për Shkatërrim të Krimit të Organizuar dhe Serioze, por edhe Njësiti për Krim Ekonomik- Sektori për Krim dhe Korrupsion Ekonomik në Repartin për Polici Kriminalistike në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, thonë nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion.

Nga organi i akuzës sqarojnë se nga analiza e deritanishme e dokumentacionit të mbledhur në bashkëpunim me Drejtorinë e Zbulimit Financiar po ndërmerren edhe veprime të tjera parahetuese.

“Në ndërkohë pas marrjes së të dhënave të caktuara nga Drejtoria për Zbulim Financiar, prokurori ka dorëzuar kërkesë për ndihmë juridike ndërkombëtare nga SHBA për shkak të konstatimit të fakteve relevante me rëndësi për procedurën hetuese”, tha Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion.

Drin Ahmeti, u bë i njohur në opinion pasi u zbulua se ishte pronar i 39% të aksioneve të Qendrës Tregtare Soravia në Shkup. Pavarësisht se kostoja e aksioneve kushton disa miliona euro, Drin Ahmeti u sqarua para opinionit se ai këto aksione i kishte marrë pa investuar asnjë qindarkë. Sqarimi i tij, ishte se së bashku me biznes-partnerin e tij nga Shqipëria, Vladimir Pjetër Gjoka, e kanë blerë Soravian nëpërmjet linjës kreditore të bazuar në idenë e biznesit, të cilën banka ia ka besuar. Për dyshimet rreth shitblerjes së Soravias, Antikorrupsioni hapi lëndë, fati i të cilës ende nuk ka epilog. Në ndërkohë, Drin Ahmeti është tërhequr nga pozita e kompanisë “Thor Industries”, nëpërmjet të cilës i ka blerë aksionet në Soravia. Në ndërkohë, edhe pas shtatë muajsh, Prokuroria ende nuk ka arritur t’i verifikojë dhe sigurojë provat për lëndën ku Drin Ahmeti, dyshohet për tregti ilegale me mjete piroteknike, pasi në mbrëmjen e 30 dhjetorit të vitit 2023 u arrestua nga policia./Alsat.mk