Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën do të bëjë një vizitë pune në Maqedoni të Veriut, ndërsa do të jetë i shoqëruar nga ministrat e kabinetit qeveritar.
Vizita e Kurtit vjen pak ditë pas incidentit të presidentes Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit, ku Presidenca tha se iu kërkua të skanohej telefoni i saj nga stafi i aeroportit. Presidenca kishte reaguar ndaj këtij incidenti. E po ashtu Kosova dërgoi notë proteste. E reagime pati edhe nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut, por edhe nga partitë shqiptare në shtetin fqinj.
“Kryeministri Kurti, i shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar, të hënën do të zhvillojë një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut. Atje do të ketë një takim bilateral me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut me të cilin do të diskutojnë rreth raporteve bilaterale, bashkëpunimit rajonal dhe projektet infrastrukturore me interes për dy shtetet. Realizimi i kësaj vizite është dakorduar me 20 korrik”, ka thënë për KOHËN zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.