Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) duket se ka humbur çdo simpati ndërkombëtare dhe është shndërruar në një parti të izoluar diplomatikisht.
Për 22 vite, BDI-ja ka qeverisur në koalicione të ndryshme me VMRO-DPMNE dhe LSDM-në, duke e mbajtur veten në qendër të pushtetit. Megjithatë, burimet diplomatike sugjerojnë se kjo periudhë e artë ka marrë fund, sidomos pas plasimit në opinionin të idesë së tyre për ndarje duke atakuar drejpërdrejt bisedimet e fasilituara ndërkombëtare mes Kosovës dhe Serbisë.
Partia, e cila dikur ishte e preferuara e ambasadave, tani përballet me rënie të mbështetjes ndërkombëtare. Ky ndryshim rrënjësor vjen si pasojë e korrupsionit endemik që ka pushtuar strukturat e saj dhe ka shndërruar BDI-në në një kërcënim për stabilitetin e shtetit. Pavarësisht se dikur konsiderohej një faktor stabiliteti, tani BDI-ja është në shënjestër të kritikave për instalimet e saj në çdo institucion dhe përpjekjet për të krijuar një sistem të centralizuar dhe të manipuluar.
Kujtojmë se një nga ngjarjet më të freskëta që theksojnë degradimin e BDI-së është tentativa për të sjellë të arratisurin Nikolla Gruevski nga Budapesti, duke ushtruar presione të mëdha mbi kryetaren e Gjykatës Supreme. Kjo ndërhyrje në sistemin gjyqësor çoi deri në atë pikë sa ambasadori i Holandës u detyrua të ndërhyjë personalisht, duke “qortuar” Ali Ahmetin për ndikimet e tij destruktive.
Kjo situatë tregon qartë se BDI-ja, e cila dikur ishte e lidhur ngushtë me diplomacinë ndërkombëtare, tani është izoluar plotësisht. Me korrupsionin që vazhdon të gërryejë themelet e saj dhe me mungesën e mbështetjes diplomatike, BDI-ja po përballet me një të ardhme të pasigurt dhe një rënie të pashmangshme nga skena politike.
Koha do të tregojë nëse BDI-ja do të mund të rigjejë ndonjëherë rrugën drejt rehabilitimit politik dhe rikthimit të besimit të humbur, apo nëse do të mbetet përgjithmonë në hije, si një kujtim i një partie që dikur mbante çelësat e pushtetit në Maqedoni.