Dani Olmo është edhe zyrtarisht një lojtar i Barcelonës. Klubi spanjoll zyrtarizoi të premten nënshkrimin e kontratës me 26-vjeçarin, i cili kthehet në shtëpinë e tij dhjetë vjet më vonë dhe pasi u rrit në Dinamo e Zagrebit dhe Red Bull Lajpcig.
Organizatori ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2030 dhe do të ketë një klauzolë largimi prej 500 milionë eurosh. Dani Olmo mbërriti pak para orës 12:30 të së premtes në zyrat e klubit, ku presidenti Joan Laporta po e priste për të nënshkruar kontratën e tij me klubin.
Një marrëveshje që u zgjidh me Lajpcig të martën e kaluar kur drejtori sportiv i Barcelonës, Deko udhëtoi për në Gjermani dhe u kthye me mesfushorin në të njëjtin avion. Një marrëveshje që, ndonëse as Barça dhe as Lajpcig nuk i kanë zyrtarizuar shifrat, u mbyll për 47 milionë euro plus bonuse (për tituj dhe për të luajtur 60% të ndeshjeve) deri në arritjen e shifrës prej 60 milionë të kërkuar nga klubi gjerman. Dani Olmo do të kryejë menjëherë stërvitjen e parë nën urdhrat e trajnerit Hansi Flik. Dani Olmo (26 vjeç) rikthehet në Barcelonë me ambicie. Nënshkrimi i ri i klubit katalanas theksoi gjatë një deklarate për mediat se vjen me objektiva të qarta.
“Unë vij për të fituar, për të gjithë titujt e mundshëm. Ne jemi Barça dhe duhet të garojmë për gjithçka. Ne kemi një ekip të madh, kemi lojtarë të shkëlqyer, kemi staf të mrekullueshëm. Ne po shkojmë për gjithçka”, deklaroi ai për mediat e klubit pas nënshkrimit të angazhimit të ri në zyrën e presidentit Joan Laporta. “Jam shumë i lumtur, është një ëndërr e bërë realitet. Jam shumë i lumtur që kthehem në shtëpi, me familjen time, me shokët e skuadrës… Mezi pres të nis gjithçka”, ka shpjeguar ish-lojtari i të rinjve të Barcelonës, i cili kthehet në atë që ishte shtëpia e tij 10 vjet më vonë.
Dani Olmo ka folur edhe për negociatat mes Barcelonës dhe Lajpcigut që nuk kanë qenë të thjeshta. “Kanë qenë negociata intensive, por është normale. Gjithçka është bërë shumë shpejt me Lajpcigun dhe gjithashtu u jam shumë mirënjohës. Tani fillon një fazë e re dhe ne po shkojmë për gjithçka”, komentoi spanjolli, i cili gjithashtu theksoi përpjekjen e bërë nga Barça për nënshkrimin e tij. “Ishte ëndrra ime, por duhet të theksojmë edhe përpjekjet e Barçës për të më sjellë mua, duhet ta vlerësojmë. Jam krenar që ata më duan dhe jam krenar që jam këtu”.
Mesfushori vjen në Barcelonë jo si një lojtar i ri apo i huaj, sepse njihet mirë me shumë prej shokëve të rinj. “Unë kam luajtur tashmë me shumë lojtarë të Barcelonës. Dua të shoh edhe lojtarë të tjerë si Frenki apo Levandovski, futbollistë me cilësi të lartë. Jam i përgatitur dhe pres me padurim për të kontribuar dhe për të fituar”, tha ai.