Banka Popullore e Serbisë (NBS) ka njoftuar se ia ka hequr licencën e punës bankës Alta në Beograd, ndërsa Agjencia për Sigurimin e Depozitave do të emërohet administrator i falimentimit me vendim gjykate. Pronari i bankës, Davor Macura, është në mesin e katër biznesmenëve serbë ndaj të cilëve është kërkuar vendosja e sanksioneve amerikane.
Komiteti Ekzekutiv i NBS-së ka bërë të ditur se vendimit për heqjen e licencës i kanë paraprirë aktivitetet mbikëqyrëse, të cilat kishin për qëllim rritjen e nivelit të likuiditetit të bankës.
Sipas NBS-së, është konstatuar se gjendja financiare e bankës është përkeqësuar ndjeshëm gjatë periudhës së fundit dhe se ekziston mundësia e përkeqësimit të mëtejshëm të gjendjes financiare ose të likuiditetit të saj. Për pasojë, janë vënë në rrezik interesat e depozituesve të bankës.
Duke qenë se janë plotësuar kushtet ligjore për heqjen e licencës së punës së bankës, në përputhje me Ligjin për Bankat, NBS-ja ka vendosur t’ia heqë licencën asaj, me qëllim të mbrojtjes së interesave të depozituesve dhe ruajtjes së stabilitetit të sistemit financiar, thuhet në njoftim.
NBS-ja ka bërë të ditur se kursimtarët e bankës Alta do të informohen me kohë dhe sa më shpejt se në cilën bankë do të mund t’i tërheqin depozitat e tyre deri në shumën e siguruar prej 50.000 eurosh. Ata gjithashtu do të njoftohen për mënyrën e paraqitjes së kërkesave të tjera financiare dhe kompensimin e tyre.
“Procedura e lartpërmendur në asnjë mënyrë nuk i liron debitorët e bankës nga detyrimet e tyre. Këta persona mund të presin udhëzime të qarta për mënyrën e shlyerjes së detyrimeve ndaj bankës pas nisjes së procedurës së falimentimit”, ka bërë të ditur NBS-ja.
Edhe banka Alta ka njoftuar se ndaj saj ka nisur procedura e falimentimit, duke theksuar se vendimi është marrë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe vendimet e organeve rregullatore kompetente.
Në njoftim thuhet se institucionet përgjegjëse dhe organet e falimentimit po ndërmarrin hapat e nevojshëm për mbrojtjen e interesave të depozituesve dhe kreditorëve, si dhe për zbatimin e procedurave të mëtejshme ligjore të parashikuara nga legjislacioni i Serbisë.
Kërkesa për sanksione ndaj katër biznesmenëve nga Serbia
Pronari i grupit Alta, Davor Macura, është njëri nga katër biznesmenët serbë, të afërt me strukturat e deriatëhershme qeverisëse në vend, emrat e të cilëve janë përfshirë në një listë me kërkesë për vendosjen e sanksioneve amerikane. Kërkesa është paraqitur nga kongresisti republikan Joe Wilson, në një letër drejtuar sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Në letrën, të cilën e ka siguruar Radio Evropa e Lirë (REL), kërkohet që këtyre biznesmenëve t’u ndalohet udhëtimi në Shtetet e Bashkuara dhe përdorimi i sistemit financiar amerikan. Ajo është dërguar më 14 tetor.
Wilson iu drejtua sekretarit amerikan të Shtetit në cilësinë e bashkëkryetarit të Komisionit për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, i njohur si Komisioni i Helsinkit i SHBA-së.
Në kërkesë, katër biznesmenët cilësohen si bashkëpunëtorë të presidentit të deriatëhershëm të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilët përdorin burimet publike për pasurimin e tyre personal.
Në përgjigjen për REL-in, banka Alta i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si të pavërteta.
Në kërkesën për vendosjen e sanksioneve thuhet se banka Alta është e përfshirë në aktivitete që lidhen me pastrimin e parave.
Megjithatë, banka Alta i ka mohuar kategorikisht, në përgjigjen për REL-in, të gjitha pretendimet se grupi Alta, banka Alta apo Davor Macura janë të përfshirë në pastrim parash, korrupsion, keqpërdorim të burimeve publike ose ndërhyrje në procesin zgjedhor.
“Asnjë organ kompetent në asnjë juridiksion nuk ka nxjerrë ndonjë konstatim apo vendim të ngjashëm me ato që u atribuohen bankës Alta, grupit Alta Pay ose zotit Macura në këto pretendime”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të bankës Alta./REL

