Ministria e Bujqësisë ka realizuar pagesat direkte për prodhuesit e qumështit të lopës, dhisë dhe deles, duke përmbushur kështu angazhimin për mbështetje financiare ndaj këtij sektori, njoftoi zëvendësministri Bexheti.

Në kuadër të Programit për mbështetje financiare në bujqësi, janë paguar 4.430 prodhues të qumështit, me një shumë totale prej 216.712.603,00 denarë.

Pagesat janë kryer për ekonomitë bujqësore të regjistruara, të cilat kanë dorëzuar qumështin e prodhuar te blerës të regjistruar gjatë muajve të fundit të vitit 2023: gusht, shtator, tetor, nëntor dhe dhjetor. Prodhuesit kanë përfituar 5 denarë për litër për qumështin e lopës dhe 6 denarë për litër për qumështin e dhisë dhe deles.

Kjo mbështetje financiare, theksoi zëvendësministri Bexheti, pasqyron përkushtimin e Ministrisë së Bujqësisë për të përmirësuar kushtet për bujqit dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm në këtë sektor, duke siguruar mbështetje të vazhdueshme për prodhuesit.